Majkëll O'Flaerti: Maqedonia e Veriut do të vazhdojë angazhimin e saj për të drejtat e romëve dhe do të sigurojë një mjedis të shëndetshëm jetësor për të gjithë
- Maqedonia e Veriut vazhdon angazhimin e saj të hershëm për promovimin e përfshirjes dhe barazisë së romëve, veçanërisht përmes miratimit të një sërë strategjish kombëtare dhe planeve tematike të veprimit, por duhet të punojë për të siguruar një mjedis të shëndetshëm dhe për të mbrojtur të drejtat e njeriut për të gjithë qytetarët.
Strasburg, 30 prill 2025 (MIA) - Maqedonia e Veriut vazhdon angazhimin e saj të hershëm për promovimin e përfshirjes dhe barazisë së romëve, veçanërisht përmes miratimit të një sërë strategjish kombëtare dhe planeve tematike të veprimit, por duhet të punojë për të siguruar një mjedis të shëndetshëm dhe për të mbrojtur të drejtat e njeriut për të gjithë qytetarët.
Kështu citohet në njoftimin e Zyrës së Komisionerit për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Evropës, Majkëll O'Flaertit, në lidhje me vizitën e tij në vend javën e kaluar, e cila u përqendrua në situatën e romëve dhe implikimet e sfidave serioze mjedisore mbi të drejtat e njeriut.
“Komisioneri i njeh arritjet e rëndësishme, të cilat përfshijnë njohjen e romëve në Kushtetutë, progresin në zhdukjen e rasteve të personave pa shtetësi dhe përmirësimin e aksesit në arsim për fëmijët romë”, citohet në njoftim.
O'Flaerti, siç citohet në njoftim, njeh rolin e rëndësishëm të shoqërisë civile dinamike rome në vend dhe faktin se romët, përfshirë gratë rome me ndikim, janë të përfshirë në institucionet shtetërore dhe marrin pjesë në formësimin e politikave përkatëse.
“I inkurajoj autoritetet që të vazhdojnë të mbrojnë përfaqësimin e barabartë të romëve në administratën publike në përputhje me ligjin dhe të vazhdojnë t'i kushtojnë vëmendje të veçantë fuqizimit të grave dhe vajzave rome në të gjitha fushat e jetës”, tha O'Flaerti.
Megjithatë, pavarësisht hapave pozitivë të ndërmarrë, Komisioneri i Këshillit të Evropës për të Drejtat e Njeriut vëren se romët mbeten grupi më i margjinalizuar në shoqëri dhe vazhdojnë të përballen me diskriminim në shumë fusha të jetës. Ai thekson se romët në disa pjesë të vendit jetojnë në kushte nën standarde në vendbanime për të cilat nuk janë miratuar plane urbane dhe përballen me vështirësi në legalizimin e shtëpive të tyre.

“I bëj thirrje Qeverisë të sigurojë një koordinim më efektiv midis ministrive dhe qeverive lokale për zbatimin efikas të strategjive në të gjithë vendin”, tha O'Flaerti, duke apeluar për të siguruar monitorim të saktë të situatës dhe për të mundësuar përparim të vërtetë në jetën e komunitetit rom.
Komisioneri i Këshillit të Evropës bën thirrje për rritjen e ndërgjegjësimit dhe respektimin e identitetit dhe trashëgimisë kulturore të romëve, si dhe për një luftë efektive kundër diskriminimit të tyre, i cili, sipas tij, mbetet i përhapur në shoqëri. Ai vlerëson se pavarësisht masave të marra nga autoritetet, ende ka raste të "profilizimit etnik" nga policia, dhunës policore dhe keqtrajtimit të romëve në burgje, duke apeluar për forcimin e mekanizmave të llogaridhënies, intolerancës ndaj dhunës dhe trajnimit të zyrtarëve kundër diskriminimit.
O'Flaerti thekson se nevojitet një qasje shumëdimensionale për të ofruar një zgjidhje të qëndrueshme për problemin e fëmijëve romë të pastrehë, për të mbrojtur të drejtat e tyre njerëzore dhe për të siguruar akses në qendrat e kujdesit ditor dhe mundësitë arsimore.
Ai bën thirrje për përpjekje të vazhdueshme për të adresuar rastet e "ndarjes së fëmijëve romë në shkolla". “Arsimi gjithëpërfshirës është çelësi për ndërtimin e kohezionit social dhe ndarja e fëmijëve në shkolla duhet të shmanget “, tha komisioneri.
O'Flaerti konfirmon se Maqedonia e Veriut është pjesë e të gjitha instrumenteve kryesore ndërkombëtare mjedisore, se po punon për t'u përafruar me standardet evropiane në këtë fushë dhe është lider në njohjen e të drejtës për një mjedis të shëndetshëm në Kushtetutë dhe të ekocidit në kodin e saj penal.
Megjithatë, sipas tij, ka shqetësime serioze në lidhje me degradimin mjedisor dhe garantimin e të drejtave të njerëzve për jetë, shëndet, strehim, ujë dhe kanalizime.
“Ndotja e ajrit është një problem i madh, së bashku me shqetësimet në lidhje me mbledhjen efikase të mbeturinave, trajtimin e deponive toksike dhe ndotjen e ujit. Zbatimi më efektiv i detyrimeve ndërkombëtare dhe ligjeve të brendshme është thelbësor për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Vërej me shqetësim se qasja në drejtësi në çështjet mjedisore mbetet e kufizuar dhe u bëj thirrje autoriteteve të heqin pengesat praktike dhe ligjore që i pengojnë individët dhe komunitetet të mbrojnë në mënyrë efektive të drejtat e tyre para gjykatave”, deklaroi O’Flaerti.

Ai bën thirrje për miratimin e "Ligjit të shumëpritur për Klimën", i cili do të siguronte një bazë ligjore për veprimet lidhur me klimën brenda detyrimeve ndërkombëtare, siç është Konventa kornizë e KB-së për Ndryshimet klimatike.
“Komisioneri O'Flaerti trajtoi çështje të tjera me rëndësi të përgjithshme për respektimin e të drejtave të njeriut. Organizatat e shoqërisë civile kanë vënë në dukje ndikimin serioz të shkurtimeve të fondeve nga SHBA-ja në funksionimin e tyre, gjë që prek shumë organizata, veçanërisht ato që punojnë në fushat e mbrojtjes së të drejtave të njeriut të personave LGBTI, lirisë së medias dhe luftës kundër korrupsionit. Ai u bën thirrje autoriteteve dhe donatorëve që t'u mundësojnë këtyre organizatave të vazhdojnë punën e tyre jetësore”, citohet në deklaratë.
O'Flaerti u bën thirrje gjithashtu autoriteteve të miratojnë një ligj për Avokatin e Popullit dhe ta forcojnë këtë institucion, në mënyrë që të mund të aplikojë për statusin A si Institucion Kombëtar i të Drejtave të Njeriut, sipas Parimeve parisiene të KB-së.
“Ai i inkurajon autoritetet të respektojnë reputacionin e mirë të vendit dhe të zbatojnë të gjitha vendimet e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, përfshirë rastin X, kundër Maqedonisë së Veriut mbi njohjen ligjore të gjinisë”, shtohet në deklaratë.
Gjithashtu thuhet se gjatë qëndrimit të tij në vend, O'Flaherti u takua me Zëvendëskryeministrin dhe Ministrin e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor Izet Mexhiti, Ministrat e Punëve të Jashtme, Drejtësisë dhe Arsimit Timço Mucunski, Igor Filkov dhe Vesna Janevska, Zëvendësministrin e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë Gjoko Velkovski, Drejtoreshën e Inspektoratit Shtetëror për Mjedisin, Ivana Ginovska, Avokatin e Popullit Naser Ziberi, si dhe anëtarët e Komisionit për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi.
O'Flaerti u takua gjithashtu me përfaqësues të KB-së, Delegacionit të BE-së dhe organizatave të shoqërisë civile dhe vizitoi Komunën e Shuto Orizarës, ku u takua me kryetarin e komunës, Kurto Dudush. ls/
Foto: Këshilli i Evropës/ arkivi i MIA-s