• e diel, 22 dhjetor 2024

Makroni nuk e përjashton mundësinë për sistemimin e trupave tokësore franceze në Ukrainë

Makroni nuk e përjashton mundësinë për sistemimin e trupave tokësore franceze në Ukrainë

Paris, 27 shkurt 2024 (MIA) - Presidenti francez Emanuel Makroni dje deklaroi se nuk e përjashton mundësinë për sistemimin e trupave tokësore franceze në Ukrainë, raportoi DPA.

Pas përfundimit të konferencës për ndihmën për Ukrainën dje në Paris, Makroni tha se nuk po përjashton asgjë për të siguruar që Rusia të mos fitojë luftën kundër Ukrainës.

Në takimin, i cili u organizua për një kohë të shkurët, morën pjesë përfaqësues   të lartë nga shumë prej mbështetësve kryesorë evropianë të Kievit, përfshirë kancelarin gjerman Olaf Sholc dhe ministrin britanik të Punëve të Jashtme Dejvid Kameron.

"Nuk kishte konsensus për përdorimin e trupave tokësore në takimin e më shumë se 20 krerëve të shteteve dhe kryeministrave, por asgjë nuk mund të përjashtohet për sa i përket dinamikës së ardhshme", tha Makroni. Çdo vend mund të vendosë në mënyrë të pavarur dhe sovrane për sistemimin e trupave tokësore, raportoi agjencia gjermane.

Presidenti francez tregoi se në takim u vendos që të formohet një koalicion për të furnizuar Ukrainën me raketa për sulme shumë prapa linjave ruse. Në afat të shkurtër, municione shtesë për Ukrainën duhet të mobilizohen nga rezervat e saj.

"Për dorëzimin e avionëve luftarakë francezë Mirage ende nuk është vendosur, por pajisjet ushtarake franceze që mund të ndihmojnë Ukrainën janë ende duke u kontrolluar. Njohuria e përgjithshme sot është se siguria e të gjithë neve është në rrezik", tha Makroni.

 Ai shtoi se sjellja e Moskës po bëhet më agresive në nivelin politik dhe në vijën e parë në Ukrainë.

"Rusia nuk duhet të fitojë luftën", theksoi Makroni, duke thënë se mbështetja nuk mund të lëkundet dhe se mbështetësit e Ukrainës duhet të intensifikojnë përpjekjet e tyre.

Sipas tij, rritja e ndihmës për Ukrainën me para dhe armë duhet të mobilizohet si bashkërisht ashtu edhe në nivel kombëtar.

Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski iu bashkua takimit në Paris përmes video lidhjes. qa

Foto: Arkivi i MIA-s 

 

QËNDRONI TË LIDHUR