• e hënë, 23 dhjetor 2024

Mëngjes pune i ministrave të punëve të jashtme të PBEJL-së në Nju Jork

Mëngjes pune i ministrave të punëve të jashtme të PBEJL-së në Nju Jork

Shkup, 21 shtator 2023 (MIA) -  Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, në cilësinë e Kryesuesit të Procesit të Bashkëpunimit në Europën Juglindore (PBEJL), ishte nikoqir në mëngjesin e punës së ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve anëtare të iniciativës, e cila u mbajt në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, në Nju Jork. Ngjarja u organizua në bashkëpunim me Këshillin e Bashkëpunimit Rajonal (KBR).

Siç informon Ministria e Punëve të Jashtme, në fokus të debatit ishte procesi i integrimit europian i vendeve të Europës Juglindore, i parë nga prizmi i agresionit të vazhdueshëm rus kundër Ukrainës, i cili ka ndikim të thellë në sigurinë dhe stabilitetin e kontinentit europian.

"Duke iu referuar motos së kryesimit të Maqedonisë së Veriut me iniciativën – “Tejkalojmë ndarjet, ndërtojmë besim”, Osmani ka shqyrtuar prioritetet e kryesimit tonë. Ndër të tjera, forcimi i demokracisë, pajtimi, bashkëpunimi rajonal dhe përshpejtimi i integrimeve euroatlantike. Duke pasur parasysh se PBEJL-ja është iniciativa rajonale më gjithëpërfshirëse në Europën Juglindore, Osmani thekson domosdoshmërinë e angazhimit të përbashkët, për të gjitha çështjet me interes jetik për rajonin", kumtoi MPJ.

Para kolegëve dhe të ftuarve të pranishëm, ai prezantoi konceptin "Më shumë integrim para anëtarësimit" për kandidatët dhe kandidatët potencialë për anëtarësim në BE, i cili parasheh përfitime konkrete gjatë procesit të negociatave para anëtarësimit formal.

"Presim që Bashkimi Europian të dalë së shpejti me një plan të ri rritjeje që duhet të na ndihmojë neve si kandidatë për të ringjallur procesin, për të stimuluar rritjen ekonomike dhe për të përshpejtuar reformat që janë gjithashtu të shtrenjta për t'u zbatuar. Qëllimi është që ekonomitë tona të kenë rritje më të madhe ekonomike, gjë që kërkon mbështetjen e shteteve anëtare të PBEJL-së, të cilat janë edhe anëtarë të BE-së, si dhe integrimin progresiv në tregun e përbashkët, i ndjekur nga rritja e pjesëmarrjes në institucionet e BE-së" , theksoi Osmani.

Maqedonia e Veriut është kryesues i PBEJL-së, në periudhën 1 korrik 2023 - 30 qershor 2024, si kryesia e tretë, pas asaj 2000-2001 dhe 2012-2013. 

"PBEJL është nisma e tretë e rëndësishme me të cilën Maqedonia e Veriut kryeson këtë vit", shtohet në kumtesën e MPJ-së. ab/

Foto: Ministria e Punëve të Jashtme

 

QËNDRONI TË LIDHUR