• e mërkurë, 27 nëntor 2024

"Më mirë për Tetovën": Pushteti qendror me pakujdesi, ai lokal me qasje agresive ndaj shkollave

Tetovë, 26 dhjetor 2023 (MIA) - Nisma qytetare "Më mirë për Tetovën" në konferencën e sotme për shtyp theksoi se Ministria e Arsimit më shumë kujdeset për tenderët se sa për cilësinë në këtë aktivitet.

"Rezultatet e testit Pisa janë dëshmi e padiskutueshme se sistemi arsimor është në gjendje të mjerueshme. Ministria e Arsimit dhe Shkencës së bashku me Byronë për Zhvillimin e Arsimit janë më të angazhuar në ndarjen e tenderëve sesa në përmirësimin e cilësisë së arsimit. Dëshmi për këtë është mungesa e librave dhe materialeve të punës për nxënësit, si dhe gabimet e shumta teknike dhe përmbajtjesore në tekstet ekzistuese. Në dy dekadat e fundit, partizimi ekstrem i arsimit në shkolla është një nga arsyet kryesore të situatës në të cilën ndodhemi. Rasti i gjimnazit që mbeti pa rrymë dhe i shkollës fillore "Istikball", ku kryesia ndërroi 4 herë në një vit, janë shembull i pazareve dhe luftës mes partive politike", tha Agron Arifi nga "Më mirë për Tetovën".

Nisma qytetare vlerëson se situata e vështirë në procesin arsimor, përveç pakujdesisë së pushtetit qendror, vjen edhe nga qëndrimi agresiv i pushtetit lokal ndaj shkollave.

"Komuna edhe pse është themeluese e shkollave fillore dhe të mesme, përpos që nuk parasheh mjete për përmirësimin e gjendjes së shkollave dhe bazohet vetëm në dotacionet nga pushteti qendror, manipulon me udhëzimet e qeverisë për operacione financiare te dyshimta ne kurriz te prindërve. Dy muajt e fundit ushtrohet një presion i madh ndaj prindërve dhe mësimdhënësve për pranimin pakusht të një lloji të uniformave, për të cilat vendimi është sjellur pa i konsultuar prindërit edhe pse bara financiare bie mbi vet ata.

Në cilin vendim të Qeverisë thirret komuna për uniformat? Kush nga komuna ra dakord për uniformat e 15 mijë nxënësve, duke anashkaluar prindërit që paguajnë? Kush është kompania dhe si u zgjodh? Kush i prodhon uniformat për gjimnazistët, shkolla e tekstilit apo kompania me emër?! Si u përcaktua çmimi prej 800 denarë kur artikuj të tillë janë në treg me çmim shumë më të lirë", pyet iniciativa.

Nga "Më mirë për Tetovën" me përkujtim për Komunën e Tetovës, e përfunduan konferencën për shtyp duke theksuar se uniformat  shërbejnë për çështje sigurie dhe barazie mes nxënësve e jo për pazare financiare të individëve të pa autorizuar komunal në kurriz të prindërve të nxënësve. sa/

Foto: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR