• e premte, 05 dhjetor 2025

Lutkovi nga Osaka: Përmes diplomacisë kulturore, Maqedonia e ndërton pozitën e saj globale

Lutkovi nga Osaka: Përmes diplomacisë kulturore, Maqedonia e ndërton pozitën e saj globale

Shkup, 1 maj 2025 (MA) – Me koncert të ansamblit kombëtar “Tanec”, simbolin e kulturës dhe traditës maqedonase, Maqedonia e shënoi Ditën e saj Kombëtare në ekspozitën botërore “EKSPO 2025” në Osaka të Japonisë. 

Siç bëri të ditur sot Ministria e Kulturës dhe Turizmit, me paraqitjen e tij dinamike dhe autentike të valleve dhe këngëve popullore maqedonase, “Tanec” ka lënë përshtypje të fuqishme te publiku i shumtë dhe edhe një herë e konfirmoi rolin e kulturës si urë për lidhje mes popujve. 

Paraqitjes së ansamblit “Tanec” i parapriu pritja solemne në të cilën ministri i Kulturës dhe Turizmit, Zoran Lutkov, para mysafirëve të shumtë dhe përfaqësuesve ndërkombëtarë, e theksoi rëndësinë e pjesëmarrjes së Maqedonisë në një ngjarje të këtij rangu. 

“EKSPO është vend ku takohet bota - përmes inovacionit, kulturës dhe vizionit për të ardhmen. Prania jonë këtu është një uverturë për gjithçka që do të prezantojmë në periudhën e ardhshme. Maqedonia sot qëndron me një zemër të hapur ndaj botës - krenare për trashëgiminë e saj dhe e fokusuar në të ardhmen”, theksoi Lutkovi.

Rëndësi e veçantë në pavijonin maqedonas, siç bëhet e ditur në kumtesë, tërhoqi ekspozita kushtuar arkitektit japonez, Kenzo Tange, vizionarit i cili e projektoi Shkupin pas tërmetit shkatërrues në vitin 1963. 

“Duke pasur parasysh se këtë vit, 2025, shënojmë 60 vjet nga krijimi i projektit të Kenzo Tange për një Shkup të ri, ekspozita shfaq një përzgjedhje të vizatimeve të autorit, dokumentacionit të projektit, fotografive historike, si dhe një model arkitektonik tredimensional, i cili kap në mënyrë abstrakte idenë e tij”, theksoi Lutkov.

Ekspozitën e vizitoi edhe Poll Tange, djali i arkitektit të madh, me çka edhe një herë ishte konfirmuar lidhja e qëndrueshme mes Shkupit dhe trashëgimisë arkitektonike të babait të tij. 

“Në pritje, mysafirët patën mundësinë të shijojnë specialitete dhe verëra maqedonase, por edhe të mësojnë rreth potencialit kulturor dhe turistik, si dhe mundësive të investimit që ofron vendi ynë”, thuhet në kumtesë.

Përndryshe, në kuadër të programit kulturor, është paraparë që në Ditën e Pavarësisë së Maqedonisë, 8 Shtatori, të mbahet një seri e prezantimeve të rëndësishme kulturore, duke përfshirë edhe paraqitje të Ana dhe Igor Durllovski, Kiril Xhajkovski dhe Vladimir Çetkar, shprehjet artistike të të cilëve e bartin frymën maqedonase të skenës bashkëkohore. 

Pjesëmarrja e Maqedonisë së Veriut në “EKSPO 2025” është pjesë e strategjisë më të gjerë për promovim ndërkombëtar dhe afirmim të vendit si destinacion bashkëkohor, i pasur kulturor, i hapur për partneritet dhe investim të hapur. fc/

Foto: Ministria e Kulturës dhe Turizmit

 

QËNDRONI TË LIDHUR