• e martë, 26 nëntor 2024

LSDM-ja nesër zgjedh lider të ri të partisë

LSDM-ja nesër zgjedh lider të ri të partisë

Shkup, 29 qershor 2024 (MIA) - LSDM-ja nesër në zgjedhjet e brendshme do të zgjedhë mes një prej katër kandidatëve për kryetar të partisë. Votimi do të mbahet në 77 qendra votimi, ndërsa të drejtë vote kanë rreth 23 mijë anëtarë të partisë.

Në garën për lider të ri të LSDM-së janë ish ministri i Shëndetësisë dhe deputeti aktual Venko Filipçe, drejtori i ZZHTI-së Jovan Despotovski, ish ministrja e Mbrojtjes dhe deputetja aktuale Sllavjanka Petrovska, si dhe ish zëvendësministri i MSHIA-s Aleksandar Bajdevski. Katër kandidatët premtojnë reforma në parti si dhe unifikim të anëtarësimit.

Petrovska dje u bëri thirrje tre kandidatëve të tjerë që të tërhiqen nga votimi brenda partisë për zgjedhjen e kryetarit të partisë, sepse siç tha ajo, "procesi zgjedhor ka qenë jo korrekt, gjegjësisht njëri nga kundërkandidatët ka pasur qasje në bazën e të dhënave dhe ka keqpërdorur të dhënat personale të anëtarëve të partisë”.

Në deklaratën për media ajo tha se ka marrë informacione se në disa organizata të caktuara komunale janë paraqitur një numër i caktuar i votuesve të cilët nuk kanë kërkuar të regjistrohen, përkatësisht, siç tha ajo, "dikush i ka regjistruar në emër të tyre".

Mirëpo, Petrovska tha se do të jetë në fletëvotim të dielën, sepse materialet zgjedhore tashmë janë shtypur, por theksoi se personalisht nuk do të dalë për të votuar.

Kryetarja e Komisionit qendror të zgjedhjeve për zgjedhjen e kryetarit të LSDM-së, Viktorija Avramovska-Madiq tha se Komisioni ka punuar shumë për të realizuar një proces transparent dhe demokratik, andaj votimi brendapartiak të dielën do të mbahet. Lidhur me vërejtjet e Petrovskës, Madiq tha se kjo është e drejtë e saj.

Lista zgjedhore e cila do të gjendet në 77 vendvotime në mbarë vendin do të numërojë 23.373 anëtarë të akredituar të LSDM-së.

Votimi do të fillojë në orën 8 dhe do të përfundojë në orën 20.

Foto: arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR