LSDM zgjedh lider të ri të partisë
- - LSDM-ja sot në zgjedhjet e jashtëzakonshme brenda partisë do të zgjedhë lider të ri të partisë. Votimi do të mbahet në 77 qendra votimi, ndërsa të drejtë vote kanë rreth 23 mijë anëtarë të partisë.
- Post By Fitore Curri
- 09:23, 30 qershor, 2024
Shkup, 30 qershor 2024 (MIA) - LSDM-ja sot në zgjedhjet e jashtëzakonshme brenda partisë do të zgjedhë lider të ri të partisë. Votimi do të mbahet në 77 qendra votimi, ndërsa të drejtë vote kanë rreth 23 mijë anëtarë të partisë.
Në garën për lider të ri të LSDM-së janë ish ministri i Shëndetësisë dhe deputeti aktual Venko Filipçe, drejtori i ZZHTI-së Jovan Despotovski, si dhe ish zëvendësministri i MSHIA-së Aleksandar Bajdevski, pasi ish ministrja e Mbrojtjes dhe deputetja aktuale Sllavjanka Petrovska, dje, një ditë para zgjedhjeve e tërhoqi kandidaturën.
Përmes një letre zyrtare drejtuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për zgjedhjet për kryetar në LSDM, Petrovska ka kërkuar që emri i saj të mos jetë në fletëvotim, ndonëse dje në një deklaratë për media tha se do të jetë ende në fletëvotim, sepse materialet janë tashmë të shtypura. Ajo u bëri thirrje tre kandidatëve të tjerë që të anulohet votimi brendapartiak për zgjedhjen e kryetarit të partisë, sepse siç tha ajo, procesi zgjedhor ka qenë i padrejtë, pra një nga kundërkandidatët ka pasur qasje në bazën e të dhënave dhe ka keqpërdorur të dhënat personale të anëtarëve të partisë. Ajo poashtu tha se ka marrë informacione se një numër i caktuar i votuesve janë paraqitur në organizata të caktuara komunale të cilët nuk kanë kërkuar të regjistrohen, pra, siç tha ajo, "dikush i ka regjistruar në emër të tyre".
Katër kandidatët këtë muaj zhvilluan fushatë parazgjedhore, duke paralajmëruar reforma në parti, si dhe bashkim të anëtarësisë.
Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për zgjedhjen e kryetarit të LSDM-së, Viktorija Avramovska-Madiq tha se Komisioni ka punuar shumë për të realizuar një proces transparent dhe demokratik, andaj votimi brendapartiak të dielën do të mbahet. Lidhur me vërejtjet e Petrovskës, Madiq tha se kjo është e drejtë e saj. Theksoi se një pjesë e ankesava të dorëzuara nga ana e disa organizatave komunale ishin pranuar, një pjesë jo.
Lista zgjedhore do të numërojë 23.373 anëtarë të akredituar të LSDM-së.
Deri më tani, në krye të partisë ishin Branko Cërvenkovski, Vllado Buçkovski, Radmilla Shekerinska, Zoran Zaev dhe Dimitar Kovaçevski. fc/
Fotografia: LSDM