• e hënë, 23 dhjetor 2024

LSDM nuk heq dorë nga ligji për mbrojtësit, në ditët në vijim do të shpalosë hapat e ardhshëm që do t'i ndërmarrë

LSDM nuk heq dorë nga ligji për mbrojtësit, në ditët në vijim do të shpalosë hapat e ardhshëm që do t'i ndërmarrë

Shkup, 22 tetor 2024 (MIA) - LSDM-ja në ditët në vijim do të dalë me informata që do të ndërmarrë për ligjin e mbrojtësve i cili është dorëzuar nga deputetja dhe ish ministre e Mbrojtjes Sllavjanka Petrovska. Nga LSDM thonë se nuk heqin dorë nga miratimi i këtij ligji.

"Dje patëm koordinimin e grupit të Kuvendit, diskutuam për hapat e ardhshëm për ligjin e mbrojtësve. Në ditët në vijim do të dalim publikisht me të gjitha ato që do të ndërmarrim në lidhje me këtë ligj. Nuk heqim dorë nga miratimi i ligjit për mbrojtësit", tha sot Jovana Trençevska në konferencën për shtyp në Kuvend.

Paraprakisht, partia politike "E Majta" kumtoi se sot ka dorëzuar kallëzim penal kundër kryetarit të Kuvendit Afrim Gashi për shkak të ligjit të mbrojtësve.

Deputeti Sashko Jançev në konferencën për shtyp në Kuvend tha se kallëzimi penal është ngritur për shkak të asaj që Gashi ka vepruar në mënyrë joadekuate në lidhje me autorizimet e tij dhe ka kryer vepër penale kundër detyrës zyrtare.

"Ligji për mbrojtësit ka ngecur në procedurë kuvendore pasi kryetari i Komisionit amë vendosi të mos mblidhte seancë, pra vendosi të bllokojë ligjin. Në një situatë të tillë, kur kryetari i Komisionit vendos që të mos thirret seanca sipas një ligji të caktuar, detyrë dhe kompetencë e kryetarit të Kuvendit është që të zhbllokojë procedurën ligjore, gjegjësisht sipas nenit 126 paragrafi 3 i Rregullores, kryetari i Kuvendit është ai që duhet të thërrasë Komisionin dhe do të thotë anëtari që do të udhëheqë seancën e atij Komisioni. Kryetari i Kuvendit më 16 shtator në një deklaratë për media tha se nuk ka ndërmend të zhbllokojë ligjin për mbrojtësit, se nuk ka ndërmend të thërrasë seancë për ligjin për mbrojtësit dhe deri më tani një seancë e tillë nuk është thirrur", theksoi Jançev.

Ligji mori mbështetjen në Kuvend për të kaluar në një procedurë të shkurtuar. Pasi kryetarja e Komisionit për Politikë Sociale, Rini dhe Demografi, Ilire Dauti, nuk e futi ligjin në rend dite, kryetari i Kuvendit në sqarimin e tij theksoi se nuk ka kompetencë të emërojë një anëtar tjetër për të mbajtur seancën sepse Dauti e ka thirrur seancën sipas afateve.

"Rregullorja e punës në nenin 126 nuk thotë se "nëse kryetari i komisionit refuzon të prezantojë një ligj të caktuar", por "nëse kryetari i komisionit nuk thërret seancë". Me faktin se Ilire Dauti ka thirrur një seancë brenda afateve, unë nuk mund ta thërras. Rregullorja më heq të drejtën që të ndërhyj dhe të caktoj një deputet tjetër për ta udhëhequr seancën. Në këta katër muaj kemi parë disa pavendosmëri si kjo me Ligjin për mbrojtësit, si funksioni i dyfishtë i Talat Xhaferit dhe disa çështje të tjera që planifikoj t'i zgjidh së shpejti përmes komisionit për çështje procedurale - që ata të vendosin dhe të nxjerrin konkluzione për ndryshimin e ardhshëm të Rregullores kuvendore", tha Gashi më 16 shtator duke qenë i ftuar në Kanal 5. sa/

Foto: Printskrin 

QËNDRONI TË LIDHUR