• e enjte, 04 dhjetor 2025

LSDM kërkon nga presidentja Siljanovska-Davkova të mos i nënshkruajë dekretet për ligjet për policinë dhe punë të brendshme

LSDM kërkon nga presidentja Siljanovska-Davkova të mos i nënshkruajë dekretet për ligjet për policinë dhe punë të brendshme

Shkup, 1 gusht 2025 (MIA) - Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë (LSDM) kërkon nga presidentja e vendit të mos nënshkruajë dekretet për ligjet për policinë dhe punë të brendshme, sepse sipas tyre, “shfuqizohet profesionalizmi dhe policia do të jetë nën komandën e drejtpërdrejtë të ministrit të Punëve të Brendshme”.

"Me të ashtuquajturat ligje të reja, ministri Toshkovski merr pushtet të pakufizuar dhe kompetenca diskrecionale ndjeshëm të zgjeruara. Tani, ai do të jetë në gjendje të propozojë një drejtor të Byrosë së Sigurisë Publike (BSP) nga fushat më të gjera të shkencave shoqërore - që është një precedent i paparë që çon në handikap të plotë sa i takon profesionalizmit në MPB. Tani ai vetë do të jetë në gjendje të emërojë shefat e sektorëve të punëve të brendshme dhe komandantët pa i përmbushur kriteret themelore rreth përvojës, pa pasur përvojë ose rezultate të arritura më parë. Po fshihen edhe kriteret themelore profesionale për pozitat drejtuese, gjë që krijon hapësirë të gjerë për instalimin e kuadrove partiake pa përvojë të mjaftueshme operative", theksoi nënkryetarja e LSDM-së, Ana Çupeska.

Në konferencën e sotme për media të mbajtur para seancës së Këshillit të sigurisë, Çupeska theksoi se nga ligjet është fshirë kushti që përcakton një numër të caktuar vitesh përvojë dhe stazh për avancim në pozicionet më të larta drejtuese që praktikisht, siç tha ajo, “do të thotë se kryeshef mund të bëhet kushdo, bile edhe një praktikant”.

Gjithashtu shqetësuese, siç tha Çupeska, janë dispozitat që krijojnë hapësirë për mbikëqyrje masive përmes të dhënave biometrike, si dhe dispozita që hapin hapësirë për nëpunësit e policisë që janë dënuar me vendim të formës së prerë për krime që parashikojnë një minimum prej gjashtë muajsh burgim të mund të punësohen në pozicione drejtuese në ministri.

"Të gjitha këto ndryshime të rrezikshme, jodemokratike dhe antievropiane nuk mund të çojnë në asgjë tjetër përveç partizimit total, rritjes së represionit dhe rrënimit të të drejtave të njeriut, shkurt, çojnë në një shtet policor. Këto nuk janë ligje, ky është legalizimi i një manifestimi të autoritarizmit. Të ashtuquajturat ligje janë thellësisht kompromentuese, joevropiane për shkak se parashikojnë heqjen e qendrave rajonale për çështjet kufitare që është një hap drejt heqjes së policisë kufitare. Dhe kjo në kontekstin e bashkëpunimit me Fronteksin është një veprim shumë i rrezikshëm. Sepse policia kufitare duhet të ketë një status të veçantë dhe pavarësi operative", ka thënë mes tjerash Çupeska.

Nga LSDM thonë se për këtë do të informohen ambasadat e BE-së, SHBA-së, OSBE-së dhe Këshillit të Evropës, si dhe institucionet e tjera relevante ndërkombëtare.

"Jemi thellësisht të bindur se presidentja ka si forcën ashtu edhe vullnetin për t’u rreshtuar në anën e kushtetutshmërisë, demokracisë dhe veçanërisht në anën e një sistemi meritor për të cilin e dimë se angazhohet pa u lodhur. Tani ajo ka shansin e papërsëritshëm për ta treguar këtë në vepër", tha nënkryetarja e LSDM-së, Ana Çupeska.

QËNDRONI TË LIDHUR