• e hënë, 23 dhjetor 2024

Lloga për ekstradimin e Palevskit: Besoj se të gjitha kërkesat tona do të shqyrtohen në procedurën e mëtejshme në Turqi

Lloga për ekstradimin e Palevskit: Besoj se të gjitha kërkesat tona do të shqyrtohen në procedurën e mëtejshme në Turqi

Shkup, 9 dhjetor 2023 (MIA) - Ministri i Drejtësisë Krenar Lloga shpreson se Lupço Palevski, i dyshuari kryesor për vrasjen e Vanja Gjorçevskës dhe Pançe Zhezhovskit, do të ekstradohet relativisht shpejt nga Turqia në vend, por, tha ai, është shumë herët për të folur sepse ende nuk janë përdorur të gjitha mjetet ligjore. Ai pret që Turqia të marrë në procedurë kërkesat tona këtë javë që vjen.

"Është herët për të folur për ndonjë gjë, siç e thamë dy ditë më parë. Relativisht shpejt presim që ai të dërgohet në Maqedoni, por duhet të shohim nëse ai do t'i përdorë të gjitha mjetet juridike dhe nëse sistemi në Turqi do të lejojë që të jetë ashtu siç kemi kërkuar. Dokumentet u dërguan disa herë - përmes DHL, në mënyrë elektronike, përmes MPJ-së tonë dhe Ambasadës. Pra, besoj që nga e hëna të gjitha këto kërkesat tona do të trajtohen në procedurën e mëtutjeshme në Turqi", tha Lloga para fillimit të panelit "Aktivizohuni kundër dhunës ndaj grave dhe vajzave" organizuar nga partia e tij Aleanca për Shqiptarët.

Ministria e Drejtësisë ka dërguar kërkesën për ekstradim të Lupço Palevskit të enjten (7 dhjetor). Nga Ministria njoftuan dy ditë më parë se dokumenti origjinal është dërguar me DHL në Ministrinë e Drejtësisë së Republikës së Turqisë dhe një version i skanuar i është dërguar edhe Interpolit.

Kërkesa për ekstradim që ministri Lloga e nënshkroi dje vjen pas arrestimit të Palevskit më 5 dhjetor në Turqi, pasi një ditë më parë ishte lëshuar një urdhër arrest ndërkombëtar ndaj tij si i dyshuar për dy krime  "rrëmbim" dhe dy vrasje brutale. sa/

Foto. MIA

 

QËNDRONI TË LIDHUR