• e hënë, 23 dhjetor 2024

Limani-Miler: Me mbështetjen e fuqishme të UNICEF-it, Maqedonia e Veriut së shpejti do ta zbatojë Garancinë Europiane për Fëmijët

Limani-Miler: Me mbështetjen e fuqishme të UNICEF-it, Maqedonia e Veriut së shpejti do ta zbatojë Garancinë Europiane për Fëmijët

Shkup, 1 nëntor 2024 (MIA) - Ministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, Fatmir Limani, ka zhvilluar sot takim me përfaqësuesen e UNICEF-it, Lesli Miller dhe bashkëpunëtorët e saj.

Bashkëbiseduesit, siç bëri të ditur Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, biseduan për rëndësinë e promovimit dhe forcimit të sistemit të mbrojtjes së fëmijëve, me theks të veçantë në futjen e Garancisë Europiane për Fëmijët në vend, e cila është një mekanizëm i BE-së për të parandaluar përjashtimin social të fëmijëve në nevojë, duke u garantuar atyre akses në një sërë shërbimesh kryesore themelore sociale.

Ministri Limani informoi se analizat e nevojshme për futjen e saj janë në fazën përfundimtare duke shpresuar që së shpejti do të jemi vendi i parë në rajon që do ta zbatojë atë. 

"Bashkëbiseduesit iu referuan edhe Raportit të Komisionit Europian, ku ndër të tjera theksohet nevoja për angazhime shtesë që sistemi i mbrojtjes sociale të bëhet më i hapur me disponueshmëri më të madhe të shërbimeve sociale. Por progres është shënuar edhe në zbatimin e Strategjisë Kombëtare për Deinstitucionalizimin 2018-2027", bëhet e ditur në kumtesë.

Përfaqësuesit e UNICEF-it theksuan se Maqedonia e Veriut është lidere në rajon në zbatimin e deinstitucionalizimit në pjesën e fëmijëve, duke pasur parasysh se në institucion nuk jeton asnjë fëmijë. 

Bashkëbiseduesit u pajtuan se sfidat më së miri zgjidhen sistematikisht. Domethënë, sistemi do të jetë i fortë kur të mund të ofrojë shërbime sociale për fëmijët, si: aksesi në arsim, shëndetësi, mbrojtje sociale dhe asnjë fëmijë nuk do të lihet jashtë. Po ashtu u theksua edhe rëndësia e investimit në burimet njerëzore që punojnë në këtë fushë, përmirësimi i vazhdueshëm i tyre dhe mundësia për të avancuar, e në këtë mënyrë motivimi për të qëndruar në vend dhe për të bërë përpjekje për një shoqëri më të mirë për të gjithë, me theks fëmijët si një ndër kategoritë më të rrezikuara.  

"Zbatimi i Garancisë për fëmijët në Maqedoninë e Veriut do t'i ndihmojë autoritetet kombëtare dhe lokale të forcojnë menaxhimin e financave publike në lidhje me planifikimin, buxhetimin dhe zbatimin më të mirë të buxhetit për shërbimet themelore sociale për fëmijët në nevojë - në sferën e fëmijëve dhe mbrojtjes sociale, kujdesin shëndetësor dhe arsimin. Kjo do të sigurojë hap pas hapi që çdo fëmijë të ketë akses në arsim cilësor, kujdes shëndetësor, mirëqenie dhe mbrojtje, në mënyrë që çdo fëmijë të arrijë potencialin e tij të plotë", bëhet e ditur në kumtesë. fc/

Fotografia: Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë

 

QËNDRONI TË LIDHUR