• e diel, 22 dhjetor 2024

Lidhja Europiane për Ndryshim: Soravia është simboli i korrupsionit të BDI-së

Lidhja Europiane për Ndryshim: Soravia është simboli i korrupsionit të BDI-së

Shkup, 9 dhjetër 2023


Të dashur qytetarë, sot-me rastin e Ditës Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit – ne, rinia e Lidhjes Europiane për Ndryshim, jemi këtu para Qendrës Tregtare “Soravia”, që tashmë njihet si Qendra Tregtare “Ali Ahmeti”, që në mënyrë simbolike, përmes këtij aksioni dhe bllokimit të kësaj rruge, ta tërheqim vëmendjen e opinionit dhe të deklarojmë se korrupsioni ka emër të përveçëm.

Duke qenë në këtë ditë, kur Kombet e Bashkuara e shënojnë 20-vjetorin e Deklaratës për Luftë Kundër Korrupsionit, me të cilën kanë deklaruar se arsye e problemit të moszhvillimit në botë është pikërisht korupsioni, kjo na e kujton listën e Transparency International, ku Maqedonia e Veriut çdo vit shënon rënie.

E si mos të jetë kjo rënie dhe si mos të jetë kjo shkallë e korrupsionit, kur vetë kreu i partisë shqiptare Bashkimi Demokratik për Integrim përfolet si pronari real i kësaj qendre tregtare që kap vlerën e disa miliona eurove? Natyrisht, ai nuk është as i vetmi, as i pari e as i fundit. Ali Ahmeti Soravia është vetëm emri simbolik i korrupsionit në Maqedoninë e Veriut dhe ai e bashkëpunëtorët e tij janë ata që me korrupsionin e tyre, duke përvetësuar në mënyrë të paligjshme miliona euro nga qytetarët, janë bërë shkaktarët e vërtetë të shpërnguljes masovike të qytetarëve tanë nga vendi.

Prandaj, ne sot në mënyrë simbolike i kemi sjellë këtu mbetjet e familjeve që na kanë braktisur ndërkohë. Secila familje që ka ikur për shkak të këtyre politikanëve të korruptuar ka lënë pas vetes çanta, libra, fletore e lodra fëmijësh, duke kërkuar një jetë më të mirë për fëmijët e tyre. Këto ne sot po ia lëmë këtu pronarit të Soravia-s, që t’i ketë si kujtim nga të gjitha ato familje që ai dhe bashkëpunëtorët e tij i kanë përzënë nga vatrat e tyre. Le ta dijë gjithë opinioni se mbi 300 mijë njerëz janë shpërngulur nga Maqedonia e Veriut vetëm nga viti 2002. Kaq na ka kushtuar pasurimi i familjes Ahmeti e Grubi.

Që të ndalet ky trend negativ dhe ky eksod, jemi këtu ta tërheqim vërejtjen se 8 maji i vitit 2024 është çasti i fundit kur ne do ta vizatojmë udhën tonë europiane jo duke ikur në Europë, por duke e sjellë Europën në vendin tonë. Ne në BE – të korruptuarit në burg!

Lidhja Europiane për Ndryshim

______________________________________________________________________________

MIA këto tekste i publikon në formën integrale dhe origjinale dhe nuk mban përgjegjësi për përmbajtjen e tyre dhe as për mangësitë eventuale drejtshkrimore apo gabimet e shtypit.

QËNDRONI TË LIDHUR