• e shtunë, 06 dhjetor 2025

Legjenda e Leverkuzenit e këshillon Vircin ta refuzojë Bajernin

Legjenda e Leverkuzenit e këshillon Vircin ta refuzojë Bajernin

Leverkuzen, 4 maj 2025 (MIA) - Florian Virc (22) është një nga futbollistët më të kërkuar në botë aktualisht dhe njëherësh objektivi kryesor i disa klubeve të njohura. Në garën për firmën e tij, megjithatë prin Bajerni i Munihut i cili është i gatshëm t’i paguajë Baer Leverkuzenit 125 milionë euro, por ish legjenda e klubit nuk beson se Bavaria është destinacioni i duhur për futbollistin gjerman.

Jens Novotni (51) i cili luajti për Leverkuzenin për një dekadë (1996-2006), një periudhë ku ai regjistroi jo më pak se 295 ndeshje me ekipin, përfshirë edhe faktin që arriti në finalen e Ligës së kampionëve në sezonin 2001-2002, deklaroi në një intervistë për "Skaj" se dëshira e tij kryesore është që Virc të vazhdojë me Leverkuzenin edhe sezonin e ardhshëm dhe më pas të transferohet në një klub të madh jashtë Gjermanisë.

"Sigurisht që ka edhe vende të tjera me klube të nivelit të lartë ku mund të bësh hapin tjetër në zhvillimin tënd, me një gjuhë tjetër dhe një ambient të ri. Nuk mendoj se Bajerni do të ishte destinacioni më i mirë. Nuk besoj se kjo do të kishte kuptim për të. Nëse Floriani shkon në një klub të ri, është e qartë se së pari do të duhet të adaptohet me mjedisin dhe nuk do të ketë vend të rezervuar në ekipin titullar. Megjithatë, shpresoj të qëndrojë edhe një vit në Leverkuzen, të fitojë Kupën e botës në vitin 2026 dhe pastaj të shkojë jashtë vendit si kampion bote. Ai ka potencialin të bëhet një lojtar i klasit botëror dhe një lider i vërtetë për ekipin kombëtar gjerman”, ka thënë Novotni.

Përveç Bajernit, në betejën për nënshkrimin e Vircit janë përfshirë edhe Real Madridi dhe Mançester Siti, dy fituesit e fundit të Ligës së kampionëve.

Foto: arkivi

 

QËNDRONI TË LIDHUR