• e hënë, 23 dhjetor 2024

Lazarova Trajkovska: Politika të largojë të gjitha format e ndikimit nga gjyqësori

Lazarova Trajkovska: Politika të largojë të gjitha format e ndikimit nga gjyqësori

Shkup, 22 shtator 2023 (MIA) - Integriteti i gjyqësorit do të ndërtohet kur për të do të tregohet një vullnet i fortë politik, kur politika do të heqë të gjitha format e ndikimit nga gjyqësori dhe kur gjyqtarët do të mbledhin forcën për të zbuluar publikisht problemet dhe problematikat mes tyre. Duhet të ketë një vullnet politik të shprehur fuqishëm te të gjithë aktorët në shoqëri,  të tre pushteteve, për të respektuar pavarësinë e gjyqësorit. Por edhe gjyqësori duhet të inkurajohet dhe të flasë. Ne kemi nevojë për gjyqtarë të guximshëm dhe të vetëdijshëm që dinë të flasin publikisht. Gjyqtarët janë më të tërhequr, më pak të gatshëm për diskutime kritike dhe aq më pak për autokritikë.

Kështu është përgjigjur sot Mirjana Lazarova Trajkovska, gjyqtare në Gjykatën Supreme dhe ish gjyqtare në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, në pyetjen se si të rikthehet besimi në gjyqësorin vendas, të cilën e ka pyetur zëvendëskryeministrja për Politika të Qeverisjes së Mirë Sllavica Gërkovska në konferencën "Fuqizimi i grave dhe të rinjve në luftën kundër korrupsionit dhe në inkorporimin e të drejtave dhe vlerave themelore evropiane në rajon".

Sipas Lazarova Trajkovska, në këtë moment boshtet kryesore të ndikimit politik në gjyqësor janë Akademia e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve Publikë dhe Këshilli Gjyqësor.

"Rekrutimi i personelit në drejtësi bëhet përmes këtyre institucioneve. Dhe kjo është pjesa ku politika duhet dalëngadalë të tërhiqet dhe të lërë të vetëm gjyqësorin të udhëheqë dhe të vetëorganizohet", thekson Lazarova Trajkovska.

Ajo tha se pa një gjyqësor të pavarur nuk ka ecje përpara dhe këto, tha ajo, nuk janë llomotitje, por apele dhe thirrje për respektim të qartë të ndarjes së pushtetit. Lazarova Trajkovska nënvizoi se duhet të dihet se cili është roli i pushtetit ekzekutiv, cili është roli i pushtetit legjislativ dhe ku e ka vendin pushteti gjyqësor. Një nga problemet, shtoi ajo, është se gjykatat nuk janë mjaft transparente dhe të hapura për publikun.

Drejtësia, shtoi ajo, jo vetëm që duhet të shqiptohet, por duhet të shprehet dukshëm.

"Për fat të keq, në tre dekadat e fundit, reforma në drejtësi apo ndërtimi i reputacionit dhe besimit të gjyqësorit u reduktua në miratimin e ligjeve të reja, ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve. Nuk  kanë mbijetuar ende dhe befas po bëhen ndryshime të reja. Kodi Penal, i cili ka qenë objekt debatesh dhe është ende objekt debatesh, është ndryshuar mbi 30 herë. Dhe për gjyqtarët, kjo lloj pasigurie ligjore dhe kjo lloj paqëndrueshmërie ligjore është një problem i madh. Imagjinoni si është për qytetarin që duhet të ketë pritshmëri të qarta dhe të pastra ligjore nga gjyqësori. Kur ke paqëndrueshmëri ligjore, kur ke një sistem të paqëndrueshëm drejtësie që është vazhdimisht i ekspozuar ndaj ndryshimeve, vështirë se mund të presësh vendime të parashikueshme nga një gjykatë e vetme. Papritur, me ndërhyrjen e ndryshimeve në ndonjë ligj, një pjesë e tërë legjislacionit zhvendoset, një sistem i tërë i shtetit ligjor zhvendoset. Nga ana tjetër, referimet e vazhdueshme ndaj gjyqtarëve në rastet kur gjykohen figura politike apo politikanë, krijon përshtypjen se gjykatat merren më së shumti me raste të tilla, ndërkohë që realiteti është shumë ndryshe. Para gjykatave qytetarët kërkojnë drejtësi, kryesisht në proceset civile, në procedurat administrative, dhe fokusi i publikut është në të drejtën penale, fokusi i publikut është në procedurat penale. Dhe këtu ndërtohet imazhi publik apo reputacioni i gjyqësorit", tha Lazarova Trajkovska.

Fatkeqësisht, theksoi ajo, vitet e fundit edhe vetë gjyqtarët kanë perceptimin se integriteti i tyre është tronditur fuqishëm jo vetëm si pasojë e ndikimeve dhe presioneve të jashtme, por edhe si pasojë e proceseve që ndodhin brenda gjyqësorit për shkak të depërtimit të politikës.

"Deri para disa vitesh kishim një ligj që lejonte hyrjen direkte në gjykatat supreme, drejtpërdrejt në gjykatat e apelit,  dhe sistemin merit për ndërtimin e karrierës në drejtësi i cili u braktis për një periudhë të mirë kohore dhe tani do t'i përjetojmë pasojat e kësaj për një kohë të gjatë.  Dhe një segment i tretë për të cilin nuk flitet shumë. Në pesëmbëdhjetë vitet e fundit kemi pasur gjashtë ligje për amnisti, kemi hyrë në ligjet penale, duke ndryshuar procedurat penale. Një tjetër element jashtëzakonisht i rëndësishëm është edhe gatishmëria e gjykatave për të informuar publikun në mënyrë transparente dhe të hapur, për ta informuar për mënyrën e funksionimit. Sigurisht që ka edhe një numër të madh segmentesh që do të ndikojnë në atë që ju e quajtët funksionimin efikas të gjyqësorit. Ne ende merremi me raste, me dokumente në letër dhe jetojmë në kohën e shoqërisë së informacionit kur shumica e gjykatave në Evropë përdorin maksimalisht teknologjinë informatike dhe komunikuese. Por kjo është një fazë që do të varet nga një buxhet gjyqësor i pavarur, e jo nga buxheti që krijohet dhe planifikohet nga pushteti ekzekutiv", theksoi Lazarova Trajkovska.

Ajo iu referua edhe pavarësisë financiare të gjyqësorit, për të cilën, thekson, gjtihashtu duhet të punohet. sa/

Foto: Qeveria e RMV-së

 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR