• e hënë, 23 dhjetor 2024

Lavrov: Rusia do të përgjigjet në rast të agresionit nga NATO-ja ose nga ndonjë vend-anëtar

Lavrov: Rusia do të përgjigjet në rast të agresionit nga NATO-ja ose nga ndonjë vend-anëtar

Moskë, 5 nëntor 2024 (MIA) - Shefi rus i diplomacisë, Sergej Lavrov sot paralajmëroi se nëse NATO ose ndonjë nga anëtaret e Aleancës veprojnë në mënyrë agresive drejt Moskës, Rusia do të përgjigjet në mënyrë adekuate.

"Kundërshtarët tanë nuk duhet të mashtrohen. Në rast të veprimeve agresive të NATO-s ose disa shteteve-anëtare kundër vendit tonë, do të ndërmerren masat e duhura hakmarrëse në përputhje me Kartën e KB-së, e cila garanton të drejtën sovrane të Rusisë për vetëmbrojtje dhe përdorimin e të gjitha mjeteve për të garantuar sigurinë e saj. Dhe askush nuk do të jetë në gjendje të fshihet as përtej Oqeanit Atlantik, as përmes La Manshit", theksoi Lavrov në intervistë për RIA Novosti.

Ai shtoi se "NATO-ja kohë të gjatë nuk e ka fshehur politikën e saj agresive drejt Rusisë".

Lavrov përkujtoi se strategjitë e Aleancës e përshkruajnë Moskën si "kërcënimin më të rëndësishëm dhe të drejtpërdrejtë për sigurinë", ndërsa udhëheqja e NATO-s vazhdimisht paralajmëron për planet eventuale të Rusisë për të sulmuar vend që do të bëhet pjesë e Aleancës në vitet e ardhshme.

"Ndërkohë, aleanca ushtarake veriatlantike po militarizon me shpejtësi Evropën, ndërsa forcat e bllokut po ushtrojnë operacione sulmuese kundër Moskës", potencoi Lavrov.

Ai shtoi se nëse Kievi fillon të përdorë armë perëndimore me rreze të gjata veprimi për sulme në territorin rus, "do të thotë se jo vetëm Ukraina, por edhe vendet e NATO-s luftojnë me Rusinë".

"Presidenti i Federatës Ruse, Vlladimir Putin foli për këtë temë. Për të gjithë duhet të jetë e qartë se ukrainasit nuk mund të përdorin në mënyrë të pavarur armë të teknologjisë së lartë perëndimore me rreze të gjata veprimi pa të dhëna zbuluese satelitore nga vendet e NATO-s", theksoi Lavrov.

Ministri rus i Punëve të Jashtme në intervistë iu referua edhe zgjedhjeve presidenciale në SHBA.

"Nuk ka nevojë ta kuptojmë seriozisht atë që flasin dy kandidatët në vrullin e polemikave parazgjedhore...Qëndrimi jonë, i formuluar nga presidenti i Rusisë, Vlladimir Putin, është i njohur. Ne jemi të gatshëm për një dialog të barabartë nëse dhe kur pala amerikane tregon qëllime serioze për të negociuar në mënyrë të drejtë, bazuar ndaj njohjes së interesave kombëtare ruse dhe parimin e reciprocitetit", theksoi Lavrov. rq/bsh/

Foto: EPA

QËNDRONI TË LIDHUR