Lëvizja Demokratike shënoi një vjetorin e themelimit
- Me një ceremoni solemne mbrëmë në Sheshin Skënderbeu në Shkup mes politikanëve, diplomatëve dhe aktivistëve të saj Lëvizja Demokratike (LD) shënoi njëvjetorin e themelimit.
- Post By Fami Bajrami
- 11:43, 25 gusht, 2024
Shkup, 25 gusht 2024 (MIA)- Me një ceremoni solemne mbrëmë në Sheshin Skënderbeu në Shkup mes politikanëve, diplomatëve dhe aktivistëve të saj Lëvizja Demokratike (LD) shënoi njëvjetorin e themelimit.
Kryetari i kësaj partie, Izet Mexhiti para të pranishmëve tha se ky njëvjetor e gjen partinë të suksesshme dhe me rritje të gjithanshme.
“Një vit më parë kur krijuam Lëvizjen Demokratike, shumëkush dyshonte në mundësinë e ndryshimit. Por ne besuam dhe falë përkushtimit të përbashkët, kemi ndërtuar një forcë politike të konsoliduar, që tashmë është shtrirë në mbarë vendin”, tha Mexhiti.
Mexhiti tha se është dëshmuar siç tha ai, “jemi më shumë se një parti – jemi lëvizja që theu frikën dhe mbolli shpresën e vërtetë për ndryshim” dhe se sot një vit më vonë “demokracia është rivendosur dhe regjimi i hedh shkelmat e fundit para rrënimit të plotë të tij”.
“Ne kemi dëshmuar se bashkimi ynë, mund të triumfojë mbi një regjim që për dy dekada ka shfrytëzuar vendin tonë dhe qytetarët e tij. Sot, një vit pas themelimit Lëvizja Demokratike është më e fortë dhe më e vendosur se kurrë për të vazhduar rrugën drejt një të ardhmeje të suksesshme. Dhe ky përvjetor pasqyron qëndrueshmërinë, forcën dhe besimin, që kemi ndërtuar së bashku”, ka thënë ai.
Lëvizja Demokratike u themelua më 13 gusht 2023, ndërsa është pjesë e koalicionit VLEN, pjesëmarrëse në qeveri, ndërsa lideri i saj Izet Mexhiti mban postin e zëvendëskryeministrit të parë dhe ministër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor.