Ndërtohet pjesa e re e bulevardit "Vidoe Smilevski-Bato" në Tetovë
- Kryeministri Hristijan Mickoski, zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Mjedisit Jetësor, Izet Mexhiti, kryetari i komunës së Tetovës, Bilall Kasami dhe zyrtarë të tjerë shtetërorë sot kanë inspektuar pjesën e ndërtuar të bulevardit "Vidoe Smileski-Bato" në Tetovë. Gjatë muajve të fundit kjo rrugë është zgjeruar me 650 metra nga 1783 metra të planifikuara në drejtim të Porojit.
- Post By Fami Bajrami
- 14:22, 6 prill, 2025

Tetovë, 6 prill 2025 (MIA) - Kryeministri Hristijan Mickoski, zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Mjedisit Jetësor, Izet Mexhiti, kryetari i komunës së Tetovës, Bilall Kasami dhe zyrtarë të tjerë shtetërorë sot kanë inspektuar pjesën e ndërtuar të bulevardit "Vidoe Smileski-Bato" në Tetovë. Gjatë muajve të fundit kjo rrugë është zgjeruar me 650 metra nga 1783 metra të planifikuara në drejtim të Porojit.
Kryetari i Komunës së Tetovës, Kasami tha se bëhet fjalë për investim prej rreth 1.1 milionë euro i cili parasheh asfaltimin e rreth 700 metrave gjatësi me të gjitha investimet përcjellëse, kanalizim, atë fekal dhe atmosferik, ndriçim, trotuare, gjelbërim.
“Ky është një nga projektet më të mëdha për Komunën e Tetovës me të cilin paralajmërojmë se këtë vit do të vazhdojmë edhe më intensivisht së bashku me mbështetjen e Qeverisë, do të vazhdojmë të investojmë në përmirësimin e gjithë infrastrukturës së Komunës së Tetovës”, deklaroi Kasami.
Kryeministri Mickoski tha se për të është kënaqësi të marrë pjesë në një ngjarje të re, të rëndësishme për këtë qytet, por jo vetëm për të, por edhe për të gjithë qytetarët e rajonit të Pollogut të cilët do të përfitojnë nga ky projekt.
"Jam i bindur se ky projekt do t’i afrojë gjërat. Ajo që mund të them dhe ta theksoj sërish është se deri më tani janë paraqitur rreth 416 projekte nga 56 komuna në kuadër të Ministrisë së Vetëqeverisjes Lokale për financimin e fazës së dytë. Qeveria i ndan mjetet për projekte nëpër komuna në mënyrë jo selektive, pa marrë parasysh nëse ato komuna kanë kryetarë që janë pjesë e koalicionit qeveritar, siç ndodhte në të kaluarën. Kjo qeveri i rialokon mjetet nga buxheti drejt komunave, drejt të gjitha komunave pa dallim nëse kryetari është nga radhët e kësaj qeverie, nga opozita apo është i pavarur. 15 miliardë denarë të reja, kur t’u shtohen 6 miliardëve të mëparshme nga thirrja e parë do të thotë gjithsej 21 miliardë denarë. Siç tha edhe kryetari i komunës, këto janë mjete të parapara për financimin e projekteve në vlerë prej rreth 15 milionë euro, diçka që vërtet paraqet një shifër historike", ka thënë Mickoski.
Ministri i Mjedisit Jetësor, Izet Mexhiti tha se Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor ka marrë pjesë në ndërtim në kuadër të projekteve të shumta që përkrah në mbarë vendin.
"Kjo është një nga rrugët kryesore të komunikacionit për trafikun e stërngarkuar për Tetovën, si dhe në aspektin vizual, sepse një bulevard i tillë me standarde më të larta e bën Tetovën qytet më të mirë për të jetuar", tha Mexhiti.
Mickoski informoi se është formuar grup pune nga pala jonë dhe nga ajo kosovare e cila do të punojë në drejtimin rrugor që duhet të lidhë Tetovën me Prizrenin.
Foto: Qeveria