• e shtunë, 21 dhjetor 2024

Kuvendi i votoi ndryshimet e Ligjit për subvencionimin e Racionit për Studentë

Kuvendi i votoi ndryshimet e Ligjit për subvencionimin e Racionit për Studentë

Shkup, 7 shkurt 2024 (MIA) - Kuvendi pasditen, në kuadër të seancës së 140-të, me 74 vota “pro”, asnjë kundër dhe asnjë abstenim miratoi Ligjin për ndryshimin e ligjit për Subvencionimin e Racionit për Studentë.

Me miratimin e Ligjit, siç u tha në seancë, do të plotësohet kërkesa e Asamblesë Studentore të Universitetit - UKIM për tejkalimin e barrierave teknike me të cilat përballen studentët.

Kjo pikë ishte vendosur në rend dite të seancës parlamentare pasi të hënën studentët në protestë treguan revoltë nga pagesa jo në kohë e bursave të vazhduara të studentëve, nga vonesat e pagesave të vauçerëve për transport, nga vonesat me pagesat pas lidhjes së marrëveshjeve për pagesën retroaktive të bursave dhe problemet me masën e subvencionuar të racionit të studentëve.

Në pjesën e pasdites së seancës u përfundua diskutimi i përgjithshëm pas disa vendimeve të propozuara, për të cilat deputetët më tej do të votojnë.

 Deputetët e filluan debatin pas Propozimit për zgjedhjen e gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Bëhet fjalë për profesoreshën e Fakultetit të Drejtësisë "Justinijan i Parë", pranë UKIM, Ana Pavllovska-Daneva, që të jetë gjyqtare e re kushtetuese. 

Propozimi Pavllovska-Daneva erdhi pasi më 24 janar, pas gati një viti e gjysmë diskutimi në Kuvend, u tërhoq propozimi që ish prokurori publik Lubomir Joveski të jetë gjyqtar kushtetues.

Kryetari i Kuvendit Jovan Mitreski në orën 18 e ka ndërprerë punën pas kësaj seance dhe për nesër është paralajmëruar vazhdimi i saj. 

Më herët, Kuvendi miratoi ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për Lojërat e Fatit dhe Lojërat Argëtuese. Ndryshimet, ndër të tjera, kërkojnë që objektet e lojërave të fatit të vendosen jo më pak se 500 metra larg shkollave fillore dhe të mesme, në mënyrë që, siç thotë ligji, të mbrohen të rinjtë nga zakonet e këqija dhe të papërshtatshme për moshën e tyre.

 Kuvendi sot votoi vendimet për dërgimin e pjesëtarëve të Armatës së Republikës së Maqedonisë së Veriut për pjesëmarrje në operacionin ndërkombëtar të Bashkimit Evropian “ALTEA” në Bosnje e Hercegovinë dhe në operacionin ndërkombëtar të Organizatës së Kombeve të Bashkuara “UNIFIL” në Republikën e Libanit. qa

Foto: Arkivi i MIA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR