• e hënë, 23 dhjetor 2024

Kuvendi: Kryeministrit dhe disa anëtarëve të Qeverisë u kanë pushuar funksionet, do t'i kryejnë vetëm funksionet e domosdoshme deri në zgjedhjen e qeverisë së re

Kuvendi: Kryeministrit dhe disa anëtarëve të Qeverisë u kanë pushuar funksionet, do t'i kryejnë vetëm funksionet e domosdoshme deri në zgjedhjen e qeverisë së re

Shkup, 4 qershor 2024 (MIA) - Në seancën konstituive të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, të mbajtur më 28 maj 2024, sipas dispozitave në fuqi u verifikuan mandatet e deputetëve të sapozgjedhur në Kuvendin e njëmbëdhjetë të Kuvendit. Me këtë rast, Kuvendi konkludoi se "kryetarit të Qeverisë dhe një pjese të caktuar të anëtarëve të Qeverisë, me verifikimin e mandatit të deputetit, në pajtim me nenin 8, paragrafi 1 të Kodit Zgjedhor, u pushojnë funksionet e tyre në Qeveri. Por, për të siguruar vazhdimësi në punën e Qeverisë, Qeveria do t’i kryejë vetëm funksionet e domosdoshme deri në zgjedhjen e qeverisë së re, njoftoi sot pasdite Kabineti i kryetarit të Kuvendit.

Kjo praktikë, siç është bërë e ditur në kumtesë, nuk ndodh për herë të parë, ndërsa të dhënat e përbërjeve të kaluara parlamentare njohin raste të ngjashme edhe atë për mandatin 1998-2002, 2002-2006 dhe 2006-2008

"Pra, kur nuk bëhet fjalë për dorëheqje të kryeministrit, gjegjësisht të Qeverisë, kur votohet mosbesimi Qeverisë ose kur shpërndahet Parlamenti, në Kushtetutë, në Ligjin për deputetë, në Ligjin për Kuvend dhe në Kodin Zgjedhor nuk ka asnjë dispozitë që e rregullon çështjen e funksionimit dhe përfundimit të mandatit të Qeverisë në periudhën pas konstituimit të Kuvendit deri në zgjedhjen e Qeverisë së re. Në rastin konkret, duhet pasur parasysh se në nenet 43, 44 dhe 46 të Ligjit për Qeverinë është rregulluar çështja e ndërprerjes së mandatit të ministrit të Punëve të Brendshme dhe ministrit të Punës dhe Politikës Sociale, si edhe përfundimi i funksioneve të ministrave plotësues, ndërsa për kryetarin e Qeverisë dhe anëtarët e tjerë të Qeverisë nuk ka vendim e as procedurë për përfundimin e funksionit", thuhet në kumtesë.

Në këtë mënyrë, siç është bërë e ditur në kumtesë, edhe më 28 maj 2024 përfaqësuesit e partive politike në Kuvend, para seancës konstituive dhe, madje, në vetë seancën konstituive qëndruan konsekuentë në këtë, gjegjësisht mbeti qëndrimi i Kuvendit si në periudhat e mëhershme, në mënyrë që të sigurohet vazhdimësia e punës së Qeverisë, që Qeveria t’i kryejë vetëm funksionet e domosdoshme deri në zgjedhjen e Qeverisë së re.

Grupi parlamentar i partisë "E majta" sot njoftoi se kryetarit të Kuvendit i ka dorëzuar kërkesë me shkrim për konstatimin e ndërprerjes së mandatit të deputetit Talat Xhaferi nga BDI - në bazë të papajtueshmërisë së funksionit deputet dhe kryeministër. fc/

Fotografia: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR