• e diel, 01 qershor 2025
Shqip
  • English
  • Shqip
  • Македонски

Kuvendi i ASH-së së Taravarit miratoi rezolutë: Koha për drejtësi, veprim dhe ndryshim është tani

Kuvendi i ASH-së së Taravarit miratoi rezolutë: Koha për drejtësi, veprim dhe ndryshim është tani

Gostivar, 6 prill 2025 (MIA)- Kuvendi i Aleancës për Shqiptarët, lider i së cilës është Arben Taravari solli rezolutë tetë pikësh e cila u pranua nga të gjithë anëtarët në mbledhjen që u mbajt sot në Gostivar. Në këtë dokument theksohet se ka ardhur koha e drejtësisë dhe se menjëherë nevojiten ndryshime.

Arsyeja për këtë është tragjedia e rëndë që ndodhi më 16 mars 2025 në qytetin e Koçanit, ku si pasojë e një zjarri shkatërrues humbën jetën 60 persona dhe mbi 150 të tjerë u lënduan.

“Kërkohet zhvillim i një hetimi të plotë, të pavarur dhe transparent mbi tragjedinë në Koçan, nën drejtimin e institucioneve kompetente, të çliruara nga çdo ndikim politik, me detyrim për informim të rregullt dhe publik të qytetarëve për ecurinë dhe gjetjet e hetimi”, theksohet në dokument.

Kuvendi i ASH-së kërkon rihapjen e hetimeve për tragjeditë e mëhershme, Durmo Turs, Besa Trans dhe Spitalin modular në Tetovë, të cilat së bashku kanë marrë jetën e 135 qytetarëve dhe për të cilat ende nuk është vendosur përgjegjësi institucionale apo individuale.

Në dokument theksohet domosdoshmëria për forcimin e transparencës dhe llogaridhënies, përmes publikimit të procedurave të inspektimeve, raporteve të kontrollit dhe ndarjes së të dhënave me publikun në mënyrë të rregullt dhe të qasshme.

“Kërkohet mes tjerash verifikim i detajuar i pasurisë dhe interesave të të gjithë zyrtarëve përgjegjës dhe inspektorëve, me qëllim të zbulimit të çdo konflikti interesi apo lidhje të mundshme korruptive me subjektet e inspektuara”, thuhet në dokument.

Rekomandohet ndërmarrja e mbikëqyrjes së jashtëzakonshme në të gjitha objektet me rrezik të lartë, në përputhje me standardet ndërkombëtare të sigurisë, veçanërisht në sektorët e gastronomisë, shëndetësisë, arsimit, sportit, transportit dhe ndërtimit.

“Kërkohet reformë urgjente e politikës ndëshkimore, që garanton ndëshkime të drejta, të rënda dhe të zbatueshme ndaj të gjithë atyre që, përmes veprimeve apo mosveprimeve të tyre, kontribuojnë në ndodhinë e tragjedive të tilla”, theksohet në rezolutë.

Kuvendi i Aleancës për Shqiptarët riafirmon bindjen se tragjedia e Koçanit nuk duhet të reduktohet në një statistikë të dhimbshme, por të shërbejë si pikë kthesë për ndërtimin e një kulture të re të përgjegjësisë, sigurisë dhe sundimit të ligjit në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Foto: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR