• e mërkurë, 12 shkurt 2025

Kuvendi hodhi poshtë interpelancën për Izet Mexhitin

Kuvendi hodhi poshtë interpelancën për Izet Mexhitin

Shkup, 10 janar 2025 (MIA) - Kuvendi sonte me tri vota "pro" dhe 64 kundër e hodhi poshtë interpelancën për zëvendëskryeministrin e parë dhe ministër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti, të dorëzuar nga koalicioni "Fronti Evropian".

Blerim Bexheti ka sqaruar interpelancën, duke theksuar se "Fronti Evropian" kërkon përgjegjësi politike dhe dorëheqje nga zëvendëskryeministri i parë dhe ministër për shkak të paaftësisë së tij për të menaxhuar situatat që kanë ndikuar në përkeqësimin e marrëdhënieve ndëretnike. Si arsye për interpelancën, Bexheti përmendi incidentin e 28 nëntorit me djegien e flamurit shtetëror, Balancuesin, vendimet e qeverisë për fshirjen e diasporës dhe Ligjin për gjuhët.

Mexhiti vlerësoi se interpelanca nuk ka të bëjë me të, as me gjuhën shqipe, as balancuesin apo përfaqësimin e drejtë, por me dëshirën që BDI të kthehet në pushtet. Ai i kërkoi partisë që të reformohet dhe të ndalojë "agresivitetin, arrogancën dhe ngritjen e tensioneve ndëretnike që ka praktikuar gjatë gjashtë muajve të fundit, që kur është në opozitë".

Gjatë debatit, deputeti Lupço Prenxhov i cili tha se VMRO-DPMNE dhe koalicioni  nuk do ta mbështesin interpelancën dhe i porositi BDI-së të mos shesë patriotizëm të rremë, por të veprojë si opozitë konstruktive, t'i bashkohet ndryshimeve për të mirën e të gjithë qytetarëve dhe të pranojë masat e qeverisë për një standard më të mirë jetese dhe një jetë më të mirë në vend.

Sipas Halil Snopçes nga Vlen, interpelancat e parashtruara nga "Fronti Evropian", përfshirë edhe këtë për Mexhitin, janë përpjekje e BDI-së për të shmangur marrjen e përgjegjësive për 20 vitet e fundit kur ishte në pushtet.

"Kjo është një përpjekje e BDI-së për të mashtruar qytetarët. Pas dy dekadash pushtet me nepotizëm, korrupsion dhe krim, BDI-ja nuk ka turp t'ia kalojë fajin dikujt tjetër. Ata u larguan nga një vend i shkatërruar dhe kjo interpelancë nuk është gjë tjetër veçse një përpjekje për të fshehur përpjekjet e tyre për të mos mbajtur përgjegjësi", theksoi Snopçe.

Rina Ajdari nga koalicioni "Fronti Evropian" tha se me interpelancë po kërkojnë përgjegjësi për punën e Mexhitit sepse nuk i ka menaxhuar siç duhet "situatat e tensionuara ndëretnike". Kësaj i është përgjigjur Mexhiti duke e akuzuar BDI-në se ka ndërhyrë në gjyqësor dhe është bërë "nga partia e luftës, parti në shërbim të VMRO-DPMNE-së", Gruevskit dhe Mijallkovit".

Edhe Arbana Pasholli nga Fronti Evropian" ka thënë një sërë akuzash ndaj Mexhitit.

Vesna Bendevska theksoi se Lëvizja ZNAM nuk e përkrah interpelancën e Mexhitit sepse është e pabazuar, e paargumentuar, tendencioze dhe dashakeqe. 

Edhe e Majta tha gjithashtu se nuk do të mbështesë interpelancën e Mexhitit.

Para deputetëve janë edhe tri interpelanca për punën e zëvendëskryeministrit Ivan Stoilkoviq, ministrit të Punëve të Brendshme Pançe Toshkovski dhe zëvendësit të tij, Astrit Iseni, të gjitha të parashtruara nga koalicioni "Fronti Evropian". sa/

Foto: printskrin

QËNDRONI TË LIDHUR