Kush janë Druzët?
- Druzët janë një pakicë në Lindjen e Mesme, të ndarë midis Izraelit, Libanit dhe Sirisë, të cilët përpiqen të ruajnë identitetin e tyre.
- Post By Ajrije Rexhepi
- 11:18, 17 korrik, 2025
17 korrik 2024
AFP
Druzët janë një pakicë në Lindjen e Mesme, të ndarë midis Izraelit, Libanit dhe Sirisë, të cilët përpiqen të ruajnë identitetin e tyre.
"Druzët janë një komunitet mbi-fisnor që tejkalon hapësirën dhe gjeografinë", thotë Makran Rabah, historian dhe profesor në Universitetin Amerikan të Bejrutit.
Më shumë se një milion Druzë nga Lindja e Mesme kanë luajtur një rol shumë të rëndësishëm në rajon, shton ai, duke specifikuar se Druzët janë pjesë e komuniteteve themeluese në Liban dhe Siri.
Në ditët e fundit, ka pasur përplasje midis Druzëve dhe Beduinëve në Sirinë jugore, dhe me këtë rast, Frans-presi prezantoi një raport mbi Druzët.
Shkolla teologjike e Druzëve e ka origjinën në Egjipt në fillim të shekullit të 11-të si një sektë brenda Islamit Shiit. Kjo shkollë konsiderohet ezoterike nga Islami.
I mbështjellë nga një lloj sekreti, mendimi që kanë druzët përfshin elementë mistikë siç është besimi në rimishërim.
“Nuk e kuptoni që disa njerëz janë Druzë derisa ata vetë ta pranojnë këtë”, thotë Makram Rabah.
Komuniteti i Druzëve nuk pranon anëtarë të rinj dhe nuk inkurajon martesat jashtë kufijve të tij.
Festat fetare të Druzëve përkojnë me kalendarin musliman. Veshjet tradicionale të Druzëve janë të zeza. Burrat mbajnë çallma të bardha ose kapele me një formë specifike, ndërsa gratë e mbulojnë kokën dhe një pjesë të fytyrës me një ferexhe të gjatë të bardhë.

“Aty ku ka kufij, Druzët nuk i njohin ata në të vërtetë”, thotë Rabah, duke shtuar se kjo për shkak të faktit se Druzët martohen mes tyre në të gjithë rajonin.
“Udhëheqësit fetarë luajnë një rol shumë të rëndësishëm në ruajtjen e këtyre lidhjeve rajonale midis Druzëve”, shton eksperti.
Para fillimit të luftës civile siriane në vitin 2011, vendi ishte shtëpia e rreth 700,000 Druzëve, të cilët flisnin arabisht, gjuhën e përbashkët për të gjithë vendin, duke e bërë atë një mozaik të vërtetë komunitetesh.
Sipas ekspertit universitar dhe kaligrafit Sami Makarem, i cili jetoi nga viti 1931 deri në vitin 2012, Druzët filluan të emigronin në Sirinë jugore në shekullin e 16-të, në një rajon që tani quhet Jabal al-Druzi në provincën Sueida.
Druzët sirianë janë veçanërisht të përqendruar në këtë provincë, që është strehimorja e tyre, si dhe në provincën fqinje të Kuneitrës dhe në periferi të Damaskut, veçanërisht Xharamana dhe Sana, të cilat u goditën nga dhuna sektare këtë pranverë.
Në Liban, rreth 200,000 Druzë jetojnë kryesisht në rajonet malore qendrore dhe në pjesët jugore të vendit, pranë kufijve me Izraelin dhe Sirinë.
Në Izrael, rreth 153,000 Druzë janë shtetas izraelitë, që jetojnë kryesisht në pjesët veriore të vendit.
Ndryshe nga arabët e tjerë izraelitë, Druzët janë gjithashtu të detyruar të shërbejnë në ushtrinë izraelite.
Në Rrafshnaltën e Golanit sirian, të aneksuar nga Izraeli, rreth 22,000 Druzë kanë statusin e rezidentëve. Vetëm 1,600 prej tyre kanë marrë shtetësi izraelite, ndërsa të tjerët mbeten të lidhur me identitetin e tyre sirian.
Aneksimi i Rrafshnaltës së Golanit nga Izraeli ka ndarë familje të tëra, megjithëse Druzët nga Golani i aneksuar mund të vizitojnë Sirinë për të studiuar ose për të marrë pjesë në dasma.
Disa Druzë nga Siria jugore janë vendosur gjithashtu në Jordaninë fqinje, ku komuniteti Druz vlerësohet se kap shifrën midis 15,000 dhe 20,000.
Jashtë Lindjes së Mesme, diaspora e Druzëve është vendosur në Amerikën e Veriut, Amerikën Latine dhe në Australi.
Liderët e Druzëve kanë qenë një forcë shtytëse e nacionalizmit në Lindjen e Mesme që nga Perandoria Osmane.
Në Siri, Sulltani druz Pasha al-Atrash, i cili udhëhoqi një rebelim në vitet 1925-1927, ishte një pararendës i pavarësisë së Sirisë nga Franca, e cila u arrit më në fund në vitin 1946.
Në Liban, lideri druz Kamal Xhumblat luajti një rol kyç nga vitet 1950 deri në vrasjen e tij në vitin 1977, të urdhëruar nga Siria, gjatë Luftës Civile Libaneze.
Që nga rënia e Presidentit sirian Bashar al-Asad në dhjetor, Izraeli ka rritur mbështetjen e tij për Druzët në Siri, një solidaritet që është perceptuar ndryshe brenda komunitetit.
Valid Xhumblat, 76 vjeç, i cili mori detyrën si udhëheqësi i ri i komunitetit të Druzëve në Liban, u ka bërë thirrje Druzëve në Siri që të refuzojnë ndërhyrjen izraelite, ndërsa liderët e Druzëve në Siri kanë riafirmuar besnikërinë e tyre ndaj një Sirie të bashkuar. Por disa Druzë kanë bërë thirrje për mbrojtje ndërkombëtare pas dhunës së pranverës kundër tyre.
Në Izrael, lideri shpirtëror i Druzëve, Sheiku Mofak Tarif, i ka bërë thirrje shtetit hebre që të mbrojë Druzët në Siri.