Kuinti: Ndalimi i vizitës së Porfiries në Kosovë është në kundërshtim me planin e Ahtisarit dhe detyrimet e dialogut
- Ambasadorët e të ashtuquajturit "Grupi i Kuintit", gjegjësisht pesë vendeve perëndimore më me ndikim që kanë misione diplomatike në Kosovë - SHBA, Britania e Madhe, Gjermania, Italia dhe Franca, së bashku me Misionin e Bashkimit Evropian në Prishtinë, shprehën shqetësimin lidhur me vendimin e djeshëm të Qeverisë së Kosovës për të mos lejuar që patriarku serb Porfirie dhe priftërinjtë tjerë të vizitojnë Kosovën për të marrë pjesë në fillimin e Kuvendit vjetor të Sinodit të Patriarkanës së Pejës, njofton korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.
- Post By Fami Bajrami
- 15:44, 14 maj, 2024
Prishtinë, 14 maj 2024 (MIA) - Ambasadorët e të ashtuquajturit "Grupi i Kuintit", gjegjësisht pesë vendeve perëndimore më me ndikim që kanë misione diplomatike në Kosovë - SHBA, Britania e Madhe, Gjermania, Italia dhe Franca, së bashku me Misionin e Bashkimit Evropian në Prishtinë, shprehën shqetësimin lidhur me vendimin e djeshëm të Qeverisë së Kosovës për të mos lejuar që patriarku serb Porfirie dhe priftërinjtë tjerë të vizitojnë Kosovën për të marrë pjesë në fillimin e Kuvendit vjetor të Sinodit të Patriarkanës së Pejës, njofton korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.
Vendimi i Qeverisë, thuhet në kumtesën e nënshkruar nga ambasadat e pesë vendeve dhe Zyra e BE-së, "është në kundërshtim me dispozitat e Planit të Ahtisarit i cili përshkruan qartë të drejtat, privilegjet, imunitetet e klerit të Kishës ortodoke serbe dhe nuk është konform me angazhimet e Kosovës të marra në dialogun e lehtësuar nga BE-ja.
Në reagim theksohet se Qeveria e Kosovës pritet të përmbush standardet më të larta për të drejtat e njeriut si në kornizën ligjore ashtu edhe me veprimet e saj. Palëve, gjithashtu, iu kërkua që të përmbahen nga veprimet dhe retorika që mund të nxisin tensionet.
"Qeveria duhet të veprojë në interes të gjithë qytetarëve të saj dhe të ruajë vlerat dhe përgjegjësitë bazë drejt stabilitetit rajonal. Ne vazhdojmë t'u bëjmë thirrje të dyja palëve që të përmbahen nga çdo veprim apo retorikë që mund të rrisë tensionet dhe të dërgojë në incidente", thotë Kuinti dhe BE-ja.
Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës, të hënën, përmes publikimit në Fejsbuk, kumtoi se përderisa Serbia vazhdon të shkelë Marrëveshjen e Brukselit, vizitat nuk do të lejohen.
"Përderisa Serbia vazhdon të shkelë marrëveshjen e Brukselit, nuk lejon vizita të zyrtarëve tanë shtetërorë në Serbi dhe aq më tepër derisa të ndërpresë fushatat kundër Republikës së Kosovës në skenën ndërkombëtare, si në proceset integruese ashtu edhe në procesin e njohjes, derisa përdorë fjalë të urrejtjes dhe kërcënime ndaj Republikës së Kosovës dhe përfaqësuesve të saj, nuk do të lejohen vizita as nga ana jonë", thuhet në kumtesën e MPJ të Kosovës. rq/