• e hënë, 23 dhjetor 2024

Kryetari i Këshillit të Tetovës, Durmishi e akuzoi BDI-në dhe LSDM-në për keqpërdorim të SPB-Tetovës për qëllime politike

Kryetari i Këshillit të Tetovës, Durmishi e akuzoi BDI-në dhe LSDM-në për keqpërdorim të SPB-Tetovës për qëllime politike

 Tetovë, 18 janar 2024 (MIA)  - Kryetari i Këshillit të Komunës së Tetovës, Besar Durmishi, mbajti konferencë për shtyp ku akuzoi se partizimi i të gjitha institucioneve nga Qeveria LSDM - BDI po bëhet edhe më e fortë në prag. të zgjedhjeve. Ai konkretisht theksoi dhe kritikoi se qeveria po tenton ta keqpërdorë edhe SPB-Tetovë për qëllime politike.

"Madje edhe Ministria e Punëve të Brendshme, e cila e ka për qëllim të garantojë sigurinë e qytetarëve, nga ana e ministrit aktual, Oliver Spasovski, tenton që këtë institucion ta partizojë në çdo nivel të saj. Kjo shihet në zgjedhjen e kryeshefit të Sektorit të Punëve të Brendshme në rajonin e Tetovës. Sipas Ligjit përkatës, për zgjedhje të kryeshefit, Ministri i propozon Këshillit të komunës tre emra dhe zgjedhja bëhet me votat e shumicës së këshilltarëve,  Nga tre emrat e parë që i propozoi ministri, këshilltarët e Këshillit komunal të Tetovës, nuk i dhanë mbështetje asnjërit. Sipas ligjit, ministri obligohet të propozojë tre emra të rinj. Por në propozimet e reja, ministri ka bërë shkelje të rëndë të ligjit, pasi ka propozuar dy emra të rinj dhe përsëri e ka ri propozuar njërin nga emrat e parë, i cili, siç po duket është person i afërt i ministrit ose i partnerëve BDI-LSDM, të cilët po tentojnë ta bëjnë policinë e shtetit, si polici familjare ose private", theksoi Besar Durmishi.

 Këshilli i Komunës së Tetovës edhe më tej nuk do të pranojë asnjë nga kandidatët e propozuar vlerësoi ai.

 "Kuptohet se pas kësaj shkelje ligjore të ministrit, vështirë se Këshilltarët do i japin mbështetje një personi partiak.Pasi policia duhet të qëndroj larg ngjyrimeve partiake dhe në asnjë moment të mos bëhet mashë për keqpërdorime të caktuara. Por e gjithë kjo bëhet me qëllim nga dyshja LSDM-BDI, që edhe herën e dytë të dështojë zgjedhja e kryeshefit të SPB -Tetovë, që pastaj për këtë të vendos vet Qeveria. Këto lojëra janë të njohura për opinionin, pasi në secilin ngërç që ata kanë, BDI dhe LSDM, keqpërdorin institucionet shtëtërore, duke i llogaritur si prona private e duke vepruar si në bahçe shtëpiake. Për të arritur deri te qëllimi i caktuar të cilin ata e kanë, po shkelin rëndë ligjet e shtetit. Por, shihet se kjo nuk ju pengon aspak, pasi në vazhdimësi po dalin skandale dhe mega-skandale të cilat i kanë bërë ndër vite dhe po vazhdojnë t’i bëjnë. E, kuptojnë se ju duhet Policia për të bërë kaos në zgjedhje dhe për të shantazhuar qytetarët për qëllime politike. Por kjo nuk do të lejohet", theksoi Durmishi.

Ai në fund porositi se si Këshill Komunal dhe si Komunë do të bëjmë të gjitha veprimet e nevojshme që të vendoset në shprehje vullneti i qytetarëve të Tetovës, e jo vullneti i LSDM-së dhe BDI-së për të ushtruar forcë ndaj qytetarëve.

 Foto: Arkivi i MIA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR