• e shtunë, 21 dhjetor 2024

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj bëhet "Qytetar nderi" i Gostivarit

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj bëhet

Gostivar, 22 mars 2023 (MIA) - Gjatë ditës së sotme në hapësirat e komunës, në një ceremoni solemne, kryetari i Komunës së Gostivarit, Arben Taravari ia ndau çmimin "Qytetar nderi i Gostivarit", kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

Me propozim të kryetarit të Komunës së Gostivarit, Arben Taravari në seancën e 19-të të Këshillit Komunal në shkurt të këtij viti, kryetari i Bashkisë së Tiranës u shpall "Qytetar nderi" me unanimitet votash, ndërsa sot çmimi iu nda edhe zyrtarisht në Gostivar.

"Rajoni ynë nuk ka nevojë për nacionalizëm, por për të ndërtuar të ardhmen e të rinjve nëse duam që ata të qëndrojnë në atdhe. Ndërsa të moshuarit flasin për të shkuarën, të rinjtë në shkolla flasin për teknologjinë e informacionit, artin dhe gjuhët e huaja", tha Veliaj.

Në fjalimin e tij ai përmendi se është i gatshëm të financojë studentë nga Gostivari të cilët dëshirojnë të marrin njohuri përmes trajnimeve dhe punëtorive kreative të organizuara në Tiranë.

Në fjalën e tij përshëndetëse, kryetari i komunës së Gostivarit, Arben Taravari, për mysafirin të cilin e quajti vëllain e tij nga Tirana, theksoi se ai është një politikan me shumë vlera dhe energji pozitive dhe se ardhja e tij është një nder i vërtetë.

Valbon Limani, kryetar i Këshillit të Komunës së Gostivarit shprehu mirënjohjen e tij për kolegët e tij këshilltarë që votuan njëzëri vendimin me të cilin Veliaj u shpall qytetar nderi i Gostivarit dhe në emër të tyre i dhuruan një pllakë me simbolin e qytetit.

Në ceremoni, i ftuari shoqërohej nga ambasadori i Shqipërisë, Fatos Reka, si dhe të pranishëm ishin disa përfaqësues të institucioneve, të komuniteteve fetare dhe deputetë. qa/shk/

 

QËNDRONI TË LIDHUR