• e premte, 05 dhjetor 2025

KRSKRr: Mirëmbajtja e rregullt dhe gjendja teknike e automjeteve janë parakusht thelbësor për komunikacion të sigurt

KRSKRr: Mirëmbajtja e rregullt dhe gjendja teknike e automjeteve janë parakusht thelbësor për komunikacion të sigurt

Shkup, 10 nëntor 2025 (MIA) - Këshilli Republikan për Siguri në Komunikacionit Rrugor (KRSKRr) po fillon një fushatë të re parandaluese-edukative për “Përmirësimin e punës së stacioneve të kontrollit teknik dhe ngritjen e vetëdijes për rëndësinë e gjendjes teknike të automjeteve”, me qëllim të ngritjes sistematike të vetëdijes për rëndësinë e kontrollit dhe mirëmbajtjes së rregullt të automjeteve motorike.

"Hulumtimet dhe analizat mbi shkaqet e aksidenteve rrugore tregojnë se mosfunksionimi teknik i automjeteve është një faktor i rëndësishëm që ndikon drejtpërdrejt në sigurinë në komunikacion. Mosfunksionimi i sistemeve të frenimit, drejtimit, sinjalizimit të ndriçimit, gomave dhe sistemeve apo pajisjeve të tjera përbën një kërcënim serioz për sigurinë e shoferëve, udhëtarëve dhe pjesëmarrësve të tjerë në komunikacion", njofton KRSKRr.

KRSKRr kujton se kontrollet teknike nuk janë vetëm një detyrim ligjor, por edhe një përgjegjësi morale dhe shoqërore e çdo pronari të automjetit, duke theksuar se automjeti teknikisht i rregullt është thelbësor për minimizimin e rrezikut nga aksidentet dhe për ngritjen e nivelit të kulturës dhe disiplinës në komunikacionin rrugor.

"Në realizimin e qëllimit për sigurimin e gjendjes teknike të rregullt, stacionet e kontrollit teknik të automjeteve kanë një rol jashtëzakonisht të rëndësishëm. Ato janë vija e parë e kontrollit dhe kanë një rol kyç në sistemin e sigurisë rrugore, ku personeli profesionalisht i trajnuar, me përdorimin e pajisjeve moderne, kontrollon të gjitha sistemet e nevojshme të automjetit – frenat, drejtimin, pezullimin, sinjalizimin e ndriçimit, sistemin e gazrave të shkarkimit, gomat dhe elementet e tjera mekanike që janë kritike për pjesëmarrje të sigurt në komunikacionin rrugor", thuhet në njoftimin e KRSKRr-së. qa/

Foto: Posteri i KRSKRr-së

 

QËNDRONI TË LIDHUR