• e hënë, 23 dhjetor 2024

Krisper: Për të pasur progres, duhet të ketë reforma

Krisper: Për të pasur progres, duhet të ketë reforma

Shkup, 11 maj 2023 (MIA) - Kryetari i Komisionit për Çështje Evropiane, Arbër Ademi dhe anëtarët e Komisionit, realizuan takim me Delegacionin e Grupit Parlamentar të Parlamentit të Republikës së Austrisë për bashkëpunim me Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, të udhëhequr nga Shtefani Krisper.

Në fillim të takimit, Ademi e vlerësoi Austrinë si vend mik, i cili na mbështet në momente të vështira, ashtu siç bëjnë miqtë e vërtetë. Ai i njoftoi mysafirët me faktin se Komisioni për Çështje Evropiane punon me ligje me flamuj evropianë, se legjislacioni ynë është duke u harmonizuar me legjislacionin evropian dhe se çështja kryesore momentale janë ndryshimet kushtetuese. Duke vepruar kështu, përkujtoi vështirësitë me të cilat përballej vendi në të kaluarën, si kontestet, problemet, çështjet e ndjeshme, për të cilat u detyrua të pranonte zgjidhje të vështira. Bëri të ditur se tashmë jashtë Kuvendit është formuar Grupi i Punës për përgatitjen e propozim-iniciativës për ndryshimet kushtetuese dhe më pas do t'i dorëzohet Kuvendit.

Shefja e delegacionit, Krisper, e theksoi mbështetjen e Austrisë në rrugën drejt BE-së dhe shprehu mirëkuptimin për vështirësitë që ka tejkaluar vendi me ndryshimin e emrit për shkak të kontestit me Greqinë dhe tani me Bullgarinë. 

Për të pasur progres, duhet të ketë reforma. Korrupsioni pengon funksionimin e institucioneve demokratike dhe ato janë të nevojshme për t'u afruar me BE-në, tha Krisper. Gjithashtu, u interesua se cilat reforma janë zbatuar, si dhe se cilat ligje shkojnë apo jo me flamur evropian, veçanërisht për çështjet që nuk janë të rëndësishme për BE-në.

Pasuan mendimet e kundërta të anëtarëve të Komisionit nga pozita dhe opozita, me shembuj konkretë për përdorimin, përkatësisht keqpërdorimin e flamurit evropian, miratimin e ligjeve me procedurë të shkurtuar, për ligjet aktuale për korridoret 8 dhe 10 d, si dhe ndryshimet kushtetuese

Në të njëjtën kohë, u theksua se integrimi evropian nënkupton agjendë reformuese, duke zbatuar vlerat evropiane në vend. Debati duhet, por nuk duhet keqpërdorur. Flamujt evropianë nuk duhet të keqpërdoren. Interesat partiake dhe personale nuk duhen vënë përpara interesave shtetërore. Të gjitha partitë duhet të jenë të përgjegjshme për përmbushjen e qëllimit – hyrjen në BE, vëzhgimin e përbashkët të çështjeve, zhvillimin e kulturës së bashkimit, sjelljen e përgjegjshme, të udhëhequr nga interesat e qytetarëve.

Në fund, u konstatua se debati i sinqertë në takim është vetëm shenjë e marrëdhënies së besimit midis dy palëve, që do të shpërblehet në të ardhmen. ls/

Foto: Kuvend

 

QËNDRONI TË LIDHUR