• e mërkurë, 03 korrik 2024

Kreu i BFI-së Fetai dërgoi mesazh urimi me rastin e Fitër Bajramit

Kreu i BFI-së Fetai dërgoi mesazh urimi me rastin e Fitër Bajramit

Shkup, 20 prill 2023 (MIA)- Kreu i Bashkësisë Fetare Islame (BFI), Shaqir Fetai me rastin e festës së Fitër Bajramit ka uruar besimtarët myslimanë me lutjet që Zoti t’i pranojë të gjitha veprat tona të mira, agjërimin tonë dhe të gjitha veprimet bamirëse gjatë muajit të Ramazanit.

“Në këto ditë të hareshme, shkolla e Ramazanit na mësoi që të mos harrojmë njerëzit tanë që janë në nevojë: skamnorë, të varfër, jetimë, por edhe institucionet tona islame. Prandaj, në fund të Ramazanit na është bërë obligim dhënia e Sadekatul Fitrit, siç na ka treguar i Dërguari i Zotit se me dhënien e Sadekatul Fitrit ne pastrojmë agjërimin tonë nga fjalët e tepërta”, ka thënë Fetai.

Me një fjalë, thuhet në urim, Fitër Bajrami është ngadhënjim i së mirës ndaj së keqes, i shpirtërores ndaj epshores, i moralit ndaj amoralit, i durimit ndaj mosdurimit, i hyjnores ndaj satanikes.

“E gjithë kjo na bën të jemi njerëz të aksioneve, njerëz që thirrim në kultivimin e veprave të mira dhe njerëz që pengojmë veprimet e këqija. Në këto ditë të gëzimit të Fitër Bajramit, me zemra të pastra i drejtohemi Allahut të Gjithëmëshirshëm që të na japë fuqinë imanit, mundësinë e largimit nga mëkatet, guximin e faljes dhe të pajtimit, buzëqeshjen me të tjerët, për të kultivuar një të tashme dhe të ardhme edhe më të ndritur, për të krijuar mundësi dhe kushte më të mira në shoqërinë tonë me qëllim që të ndërpritet trendi i migrimeve ekonomike. Lusim Allahun e plotfuqishëm t’u japë gëzimin dhe shpresën në zemrat e skamnorëve, njerëzve me telashe fizike-shpirtërore, me qëllim që sot dhe gjithmonë në jetë të jemi të lumtur dhe të gëzuar, e mbi të gjitha – falënderues ndaj të Madhit Zot për mirësitë Tij që na i ka dhënë”, thuhet në mesazhin e Reisul Ulemasë, Hfz. Shaqir ef. Fetai.

Dita e parë e Fitër Bajramit është ditë jo pune për të gjithë qytetarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Foto: Bashkësia Fetare Islame e Maqedonisë së Veriut

QËNDRONI TË LIDHUR