• e hënë, 23 dhjetor 2024

Kovaçevski: Rezultati i sotëm është zhgënjyes, LSDM-së iu dha goditje e rëndë

Kovaçevski: Rezultati i sotëm është zhgënjyes, LSDM-së iu dha goditje e rëndë

Shkup, 8 maj 2024 (MIA) - Rezultati i sotëm është zhgënjyes, LSDM-së i është dhënë goditje e rëndë, tha kryetari i LSDM-së Dimitar Kovaçevski në konferencën për media në selinë e partisë rreth rezultateve zgjedhore nga zgjedhjet e dyfishta dhe paralajmëroi proces të konsolidimit të partisë dhe zgjedhje të reja për kryetar dhe udhëheqësi të partisë.

Ai i vlerësoi zgjedhjet si korrekte dhe të lira, të organizuara sipas standardeve evropiane dhe ky është një hap i madh përpara si rezultat i lirisë së mediave dhe paqes dhe stabilitetit që kemi vendosur në vitet e kaluara. Ai i uroi fitoren konkurrentit politik VMRO-DPMNE dhe kryetarit të tyre Hristijan Mickoski si dhe Gordana Siljanovska Davkovës për zgjedhjen si presidente duke i dëshiruar që ta kryejë funksionin sipas kompetencave kushtetuese dhe përkushtimit euroatlantik. Ai përgëzoi edhe qytetarët dhe anëtarësinë e LSDM-së ku edhe përkundër rezultateve të raundit të parë, dolën të votojnë me dinjitet dhe ndihmuan në arritjen e censusit për zgjedhjen e presidentit.

"LSDM përsëri tregoi patriotizëm dhe përgjegjësi për të qindtën herë. Më lehtë ishte që pas gjithë atyre akuzave dhe sulmeve të rreme nga VMRO-DPMNE të mos e mobilizonim anëtarësinë tonë për mosvotim në zgjedhjet presidenciale, por nuk ramë në atë kurth. Dëshmuam se Maqedonia është më me rëndësi për ne dhe kështu do të jetë gjithmonë. Rezultati i sotëm është zhgënjyes. LSDM-së i është dhënë goditje e rëndë jo vetëm nga qytetarët, por edhe nga simpatizantët dhe mbështetësit e partisë. Në periudhën e ardhshme do të duhet më seriozisht dhe më thellë të gjejmë burimin dhe arsyet e këtij rezultati humbës", tha Kovaçevski. 

Ai paralajmëroi proces të konsolidimit të partisë dhe bëri thirrje për zgjedhje të reja të të gjitha organeve partiake, duke filluar nga kryetari i partisë, udhëheqësia e deri te të gjitha organet e partisë.

"Nuk kam dyshim se shumë qytetarë sonte ndjejnë frikë, frikë nga pushteti i tepruar që ka një parti e cila njihet për shpërdorim të forcës. LSDM dhe koalicioni duhet të jenë një opozitë e fortë, e përgjegjshme dhe burrështetase", tha Kovaçevski.

Ai shtoi se viti i ardhshëm është një mundësi për vendin që të vazhdojë integrimin evropian dhe nënvizoi se nëse humbet ai shans mund të humbet edhe një dekadë, por ndoshta një gjeneratë tjetër.

"LSDM do të sillet me përgjegjësi, por topi tani është në duart e qeverisë së re të udhëhequr nga Hristijan Mickoski", tha Kovaçevski duke paralajmëruar mbi pasojat e përpjekjeve të mundshme për të bllokuar rrugën e Evropës dhe duke potencuar se vendi i Maqedonisë është në NATO dhe BE.

Foto: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR