• e diel, 22 dhjetor 2024

Kovaçevski: Pas negociatave të hapura, para nesh është mundësia e anëtarësimit në BE deri në vitin 2030

Kovaçevski:  Pas negociatave të hapura, para nesh është mundësia e anëtarësimit në BE deri në vitin 2030
Shkup, 17 mars 2023 (MIA) - Kryeministri Dimitar Kovaçevski mbajti fjalim në fillim të seancës së 16-të të Këshillit për Stabilizim dhe Asocim ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Bashkimit Evropian, që mbahet sot në Shkup, në të cilën porositi se pas sfidave të shumta të rrugës së anëtarësimit në Bashkimin Evropian, vitin e kaluar Republika e Maqedonisë së Veriut me guxim politik, përfundimisht  bëri një hap historik dhe i filloi negociatat inkuadruese të cilat shënojnë fillimin e një faze të re cilësore në marrëdhëniet me BE-në.
 
"Dhe e firmosëm marrëveshjen e parë zyrtare me FRONTEKS-in, në gjuhën  maqedonase  së bashku me 24-të gjuhët tjera zyrtare në BE, si marrëveshja e parë zyrtare e tillë ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe BE-së, e cila është vërtetim i qartë për mbrojtjen e përcaktuesve të identitetit", theksoi Kovaçevski, thuhet në kumtesën e shërbimit për shtyp të Qeverisë.
 
Kjo mbledhje e Këshillit  ka dimension historik, sepse pas 22 vitesh nga nënshkrimi i Marrëveshjes për Stabilizim dhe Asocim dhe 17 vite pas marrjes së statusit kandidat, e mbajmë me negociata të filluara për anëtarësim të Republikës së Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian, si anëtare e NATO-s.
 
"Qeveria që unë drejtoj në periudhën e ardhshme do të bëjë të gjitha përpjekjet maksimale që me kohë të përfundojë fazën e hapjes së negociatave  për anëtarësim dhe të mundësojë dinamizimin e negociatave", tha kryeministri Kovaçevski.
 
Duke pasur parasysh presidencën e rradhës të Këshillit për Stabilizim dhe Asocim, takimin e sivjetshëm e kryeson Republika e Maqedonisë së Veriut, gjegjësisht kryeministri Kovaçevski, ndërsa bashkëkryesues nga ana e Bashkimit Evropian është Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë dhe zëvendëskryetar i Komisionit Evropian Zhozep Borell.Në delegacionin e Maqedonisë së Veriut janë edhe zëvendëskryetari i Qeverisë për Çështje Evropiane, Bojan Mariçiq dhe ministri i Punëve të Jashtme Bujar Osmani, ndërsa në delegacionin e Bashkimit Evropian marrin pjesë edhe eurokomisari për fqinjësi dhe zgjerim, Oliver Varheji, si dhe përfaqësues të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe institucioneve evropiane.
 
Kryetari i Qeverisë Kovaçevski, tha se Qeveria punon me fokus të fuqishëm në zbatimin e reformave të domosdoshme, veçanërisht në pjesën e sundimit të ligjit dhe se vazhdon përkushtimi në avancimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore përmes zhvillimit të dialogut të bazuar në respekt të ndërsjellë, në frymën e vlerave evropiane.
 
"Me përkushtim të plotë ndaj agjendës reformuese dhe dinamizimit të procesit të negociatave, Qeveria parashtroi një qëllim ambicioz - Maqedonia e Veriut të jetë plotësisht e gatshme t'i ndërmarrë obligimet e anëtarësimit në Bashkimin Evropian deri në fund të vitit 2023, që të mund të bëhet vend anëtar i BE-së deri në fillim të periudhës së ardhshme buxhetore të Bashkimit Evropian", porositi kryeministri Kovaçevski.
 
Kovaçevski tha gjithashtu se pushtimi brutal rus i Ukrainës ka ndryshuar thellësisht realitetin gjeopolitik dhe vendi ynë iu bashkua menjëherë dhe pa mëdyshje dënimit unanim të Bashkimit Evropian dhe partnerëve ndërkombëtarë për agresionin e pajustifikuar dhe të paprovokuar kundër një vendi sovran dhe sipas mundësive të tij, ofron ndihma humanitare, ushtarake dhe diplomatike.
 
"Republika e Maqedonisë së Veriut iu bashkua të gjitha masave kufizuese që BE-ja i vendosi ndaj Federatës Ruse, përfshirë ato të miratuara në vitin 2014, si rezultat i aneksimit të Krimesë, që na bëri 100 për qind në përputhje me qëndrimet e BE-së në fushën e politikës së përbashkët të jashtme dhe të sigurisë. Me këtë hap e rikonfirmuam përkushtimin tonë për ndarjen e vlerave dhe parimeve evropiane, mbi të cilat bazohet politika e jashtme e Bashkimit Evropian, duke konfirmuar partneritetin me BE-në dhe orientimin strategjik evropian", tha në fjalimin e tij kryeministri Kovaçevski.
 
Marrëveshja për Stabilizim dhe Asocim (MSA) e cila hyri në fuqi më 1 prill të vitit 2004, e paraqet kornizën për zbatimin e marrëdhënieve të dakorduara, deri në pranimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian.
 
Po vazhdon mbledhja e Këshillit për Stabilizim dhe  Asocim, e cila mbahet këtë vit në Shkup, në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut, ku mund të dëgjoni mbështetjen e qartë të miqve tanë nga Bashkimi Evropian për hapin e ardhshëm të vendit tonë në integrimin evropian. Në takim, siç informohet nga shërbimi për shtyp i Qeverisë, janë diskutuar çështje me rëndësi për Procesin e Stabilizimit dhe  Asocimit, si përputhshmëria me legjislacionin evropian, marrëdhëniet dypalëshe në kuadër të Marrëveshjes për Stabilizim dhe Asocim dhe çështje aktuale të kontekstit politik në rajon dhe në Evropë. sa/
 
Foto: Qeveria
 

QËNDRONI TË LIDHUR