• e mërkurë, 13 nëntor 2024

Kovaçevski: Me rrugën e re Podmolje-Strugë-Qafë Thanë mundësojmë bashkëpunim më intensiv rajonal, rritje ekonomike dhe progres

Kovaçevski: Me rrugën e re Podmolje-Strugë-Qafë Thanë mundësojmë bashkëpunim më intensiv rajonal, rritje ekonomike dhe progres

Shkup, 2 nëntor 2023 (MIA) - Kryeministri Dimitar Kovaçevski sot së bashku me zëvendëskryetarin e Qeverisë dhe ministrin për Sistem Politik dhe Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive, Artan Grubi, ministrin e Transportit dhe Lidhjeve, Bllagoj Boçvarski dhe drejtorin e Ndërmarrjes Publike "Rrugë Shtetërore" Ejup Rustemi mori pjesë në lëshimin në përdorim të rrugës Podmolje-Strugë- Qafë Thanë.

Rehabilitimi i rrugës shtetërore A2, gjegjësisht segmentit rrugorë Podmolje-Strugë-Qafë Thanë, njofton shërbimi qeveritar për shtyp kushton gati tetë milionë euro.

Ky aks, theksoi kryeministri Kovaçevski, është i një rëndësie të jashtëzakonshme për këtë rajon, veçanërisht për nxitjen e bashkëpunimit rajonal, për mundësi të reja për lidhjet ekonomike, shkëmbimet kulturore dhe lidhjet mes njerëzve të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.

"Aksi Podmolje-Strugë-Qafë Thanë ka avantazhe të mëdha ekonomike, hap mundësi për tregti dhe investime, krijimin e vendeve të reja të punës dhe përmirësimin e infrastrukturës së transportit, që ka një efekt jashtëzakonisht pozitiv në nxitjen e rritjes ekonomike të të dyja vendeve. Rruga shtetërore A2 lidhet edhe me Korridorin 8 i cili është i një rëndësie kyçe për lidhjen e vendit tonë jo vetëm me rajonin, por pozicioni gjeostrategjik i Korridorit 8 i mundëson Maqedonisë së Veriut të bëhet rrugë e pashmangshme transporti me vendet evropiane", tha kryeministri Kovaçevski.

Ministri Boçvarski informoi se Ministria e Transportit dhe Lidhjeve është duke punuar edhe në një projekt për rehabilitimin e infrastrukturës së pikës kufitare Qafë Thanë si dhe vendosjen e video mbikëqyrjes së re.

"Tashmë është duke u zbatuar në mënyrë aktive kontrata për ndërtimin e akseve të autostradës nga Korridori 8 dhe 10 të cilët do t'i japin një imazh të ri të plotë në rrjetin rrugor modern dhe të ri në vend. Ky është projekti kapital më i madh, më domethënës dhe ne si ministri së bashku me NP 'Rrugë Shtetërore' jemi të fokusuar fuqishëm në zbatimin dhe ndërtimin në kohë të këtyre akseve të autostradave. E ardhmja evropiane e vendit është e garantuar dhe për këtë na nevojiten rrugë të reja cilësore për hir të zhvillimit të barabartë të të gjitha rajoneve", theksoi Boçvarski, thuhet në kumtesë. 

Drejtori i NPRRSH-së Ejup Rustemi bëri të ditur se kompania do të vazhdojë të punojë intensivisht dhe me përkushtim për realizimin e ciklit më të madh të investimeve në vend.

"Realizimi i këtij projekti është shembull se mund dhe duhet të ndërtohet sipas dinamikës së paraparë, gjegjësisht mundet dhe do të ndërtohet në kohë, shpejt dhe me cilësi të lartë", tha Rustemi, kumton Pres shërbimi qeveritar. qa/

Foto dhe video: Qeveria e RMV-së

 

QËNDRONI TË LIDHUR