• e diel, 22 dhjetor 2024

Kovaçevski: Koalicioni ynë evropian nuk do të heqë dorë nga eurointegrimi i vendit

Kovaçevski: Koalicioni ynë evropian nuk do të heqë dorë nga eurointegrimi i vendit

Shkup, 14 dhjetor 2023 (MIA) - Koalicioni evropian nuk do ta braktisë procesin e integrimeve evropiane të vendit, proces i cili siguron standard më të lartë të jetesës për qytetarët, më shumë vende pune, sundim më të mirë të ligjit, tha kryeministri Dimitar Kovaçevski.

Pas një vizite pune në Bruksel, ku mori pjesë në Samitin BE-Ballkani Perëndimor, Kovaçevski në një intervistë për Kanal 5 iu përgjigj pyetjeve aktuale rreth perspektivës evropiane të vendit. Ai theksoi se në radhë të parë janë interesat e koalicionit qeveritar dhe interesat e qytetarëve, për dallim nga opozita në fokusin e së cilës, siç thotë ai, janë interesat partiake dhe personale.

"Të njëjtët njerëz që ishin kundër anëtarësimit në NATO, janë edhe kundër anëtarësimit në BE. Atë që pamë në vitin 2008 në Bukuresht, të njëjtën e shohim tani në Bruksel, të njëjtët politikanë, të njëjtat parti politike, tani të përforcuara nga partia e Majtë. Një koalicion anti-BE, anti-NATO, pro-rus, i cili nuk ofron alternativë tjetër, por shtetin dëshiron ta drejtojë  përsëri në izolim dhe në status quo", thotë Kovaçevski.

Sipas tij, procesi i integrimeve evropiane të vendit nënkupton veprim të përbashkët të të gjithë aktorëve politik dhe social dhe koalicioni qeveritar, siç tha ai, zgjodhi të mbrojë interesat e shtetit.

"Ky nuk është proces i një partie politike dhe nuk është proces i një Qeverie. Ky është një proces i shoqërisë sonë, një proces në të cilin duhet të tejkalohen interesat personale, politike dhe partiake, në drejtim të realizimit të interesave shtetërore. Si kryetar i Qeverisë dhe si kryetar i partisë më të madhe politike në vend dhe partisë sime LSDM dhe të gjithë partnerëve të koalicionit, ne kemi treguar se çfarë do të thotë të kesh interesin e shtetit në radhë të parë dhe partive të tjera politike nga opozita se çfarë do të thotë të kesh vetëm interesin personal dhe partiak para shtetit", theksoi Kovaçevski.

Ai theksoi se Qeveria ka përmirësuar standardin e jetesës së qytetarëve, ka rikthyer proceset demokratike në vend dhe se është bërë shumë në të gjitha segmentet për vendin.

"Kemi pasur pagë minimale prej 8.000 denarë, sot kemi pagë minimale prej 21.000 denarë. Kemi pensione të rritura për 50 për qind. Pensioni mesatar është rritur për 50 për qind, pensioni minimal është rritur për 50 për qind. Nga 26 për qind e papunësisë, sot kemi papunësinë më të ulët historikisht prej 13 për qind", theksoi Kovaçevski.

Në fushën e energjetikës, siç theksoi ai, kemi një diversifikim të qartë të sektorit të energjisë dhe zbatimin e një kapaciteti të madh të burimeve të reja të energjisë. Në pjesën e sundimit të ligjit ai thotë se po të shikosh shifrat për zbulimin e kriminalitetit për të identifikuar personat, ato janë shtuar nga viti në vit.

Sipas Kovaçevskit, janë bërë një numër i madh i reformave, veçanërisht në sektorët ekonomik. sa/

Foto: Qeveria

 

QËNDRONI TË LIDHUR