• e hënë, 23 dhjetor 2024

Kovaçevski: Kemi kornizë të qartë negociuese, nuk është thënë se ka kushte të reja përveç ndryshimeve kushtetuese

Kovaçevski: Kemi kornizë të qartë negociuese, nuk është thënë se ka kushte të reja përveç ndryshimeve kushtetuese

Shkup, 19 dhjetor 2023 (MIA) - Kemi kornizë të qartë negociuese, nuk është thënë se ka kushte të reja përveç ndryshimeve kushtetuese, tha sot kryeministri Dimitar Kovaçevski, duke komentuar deklaratën e zëvendëskryeministres bullgare dhe Ministres së Punëve të Jashtme Maria Gabriel se kusht për vazhdimin e rrugës evropiane të vendit nuk janë vetëm ndryshimet kushtetuese, por edhe respektimi i Marrëveshjes së Miqësisë dhe Fqinjësisë së Mirë dhe dy protokolleve.

"Ajo nuk tha se ka kushte të reja. Ne kemi një kornizë shumë të qartë negociuese. Kjo kornizë ka detyrime për Bashkimin Evropian dhe për Maqedoninë e Veriut. Ne, në Bruksel, në Samitin e fundit të Ballkanit Perëndimor me BE-në dhe në Këshillin e fundit Evropian, patëm përfundimin më të qartë që nga marrja e statusit të kandidatit në BE. Në paragrafin qëndronte se Republika e Maqedonisë së Veriut ka përfunduar me sukses procesin e skriningut, tha kryeministri në përgjigje të pyetjes së një gazetari.

Mbetet, theksoi ai, që shteti të përmbushë detyrimin e tij për zbatimin e amandamenteve në Kushtetutë dhe që menjëherë pa shtyrje të caktohet konferenca e dytë ndërqeveritare.

Për sa i përket marrëdhënieve të tjera që kemi me Republikën e Bullgarisë, shpjegoi, ato i referohen marrëveshjes për fqinjësi të mirë dhe janë në nivel dypalësh për të cilin ka komisione ndërinstitucionale dhe komisione ekspertësh që punojnë.

Zëvendëskryeministrja bullgare Gabriel dje deklaroi se Bullgaria nuk ka asnjë problem bilateral me Maqedoninë e Veriut në aspektin e integrimit në BE dhe se kusht për vazhdimin e rrugës evropiane të Shkupit nuk janë vetëm ndryshimet kushtetuese, por edhe respektimi i Marrëveshjes së Miqësisë dhe Fqinjësisë së Mirë dhe dy protokolleve.

"Bullgaria nuk ka asnjë problem dypalësh me Republikën e Maqedonisë së Veriut. Bullgaria, në emër të interesit të përbashkët evropian, i tregon Maqedonisë së Veriut se çfarë do të thotë të jesh anëtare e Bashkimit Evropian. Ne kemi tre instrumente të ndërlidhura dhe një qëndrim shumë të qartë të Asamblesë Kombëtare. Kushtet ndaj vendit tonë fqinj nuk janë vetëm ndryshimet kushtetuese, por edhe respektimi i Marrëveshjes së Miqësisë dhe Fqinjësisë së Mirë dhe dy protokolleve", tha Gabriel në takimin e Komisionit Parlamentar për Politikë të Jashtme, e pyetur për rrugën evropiane të Maqedonisë së Veriut", njoftoi BTA.

Sipas saj, është e rëndësishme që Sofja të shohë përparim në drejtime të tjera nëse ka vështirësi me ndryshimet kushtetuese. Gabriel tregoi se dy takime teknike janë mbajtur në korrik në Sofje dhe në tetor në Shkup, në të cilat është konstatuar se fatkeqësisht nuk ka pasur përparim. ls/ 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR