• e hënë, 23 dhjetor 2024

Kovaçevski - Kalas: Estonia me mbështetje të fortë për përshpejtimin e rrugës evropiane për Maqedoninë e Veriut

Kovaçevski - Kalas: Estonia me mbështetje të fortë për përshpejtimin e rrugës evropiane për Maqedoninë e Veriut

Shkup, 5 shtator 2023 (MIA) - Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, sot në Talin, është takuar me kryeministren e Estonisë, Kaja Kalas, ku morën pjesë edhe ministri i shoqërisë informatike dhe administratës, Azir Aliu.

Ky takim, informojnë nga shërbimi për shtyp i qeverisë, është pjesë e agjendës së kryeministrit Kovaçevski në kuadër të pjesëmarrjes në Samitin Digjital të Talinit 2023, i cili ishte edhe ndër temat e bisedës në takimin bilateral.

 

Në kumtesën thuhet se në takim u bisedua për marrëdhëniet e ngushta dhe miqësore ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Estonisë, të cilat si vende aleate në Aleancë po thellohen përmes dialogut të vazhdueshëm politik. Kryeministri Kovaçevski u falënderua për mbështetjen e Estonisë për rrugën e integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut, si dhe për mbështetjen e drejtpërdrejtë në fushën e sigurisë kibernetike dhe digjitalizimit.

"Kryeministri Kovaçevski e njoftoi kryeministren Kalas me statusin e integrimit tonë evropian dhe hapat e ardhshëm që duhet të ndërmarrë vendi në këtë rrugë. U konstatua reciprokisht rëndësia e përshpejtimit të procesit të sjelljes së Maqedonisë së Veriut dhe vendeve të tjera nga rajoni në BE, në dritën e realitetit të ri gjeopolitik të shkaktuar nga agresioni ushtarak i Federatës Ruse ndaj Ukrainës. Si një fqinj i afërt i Rusisë, sot më shumë se kurrë, Estonia thekson dhe kupton rëndësinë dhe forcën e marrëdhënieve transatlantike dhe solidaritetit evropian dhe uron që Maqedonia e Veriut të jetë në të njëjtën tryezë evropiane së bashku me Estoninë dhe vendet e tjera anëtare të BE-së sa më shpejt që të jetë e mundur. Në këtë drejtim, Kalas theksoi se Estonia do të vazhdojë me mbështetjen e madhe dhe të fuqishme për përshpejtimin e rrugës së Maqedonisë drejt BE-së dhe në mënyrë aktive do të punojë me vendet e tjera anëtare të BE-së që mbështesin zgjerimin", qëndron në kumtesën e shërbimit për shtyp të qeverisë.

Kryeministrja Kalas gjithashtu e përshëndeti edhe qëndrimin e përgjegjshëm të Maqedonisë së Veriut ndaj Ukrainës dhe u falënderua për mbështetjen që vendi e ka dhënë deri më tani.

"Bashkimi me vendimet e BE-së dhe koordinimi i plotë për sa i përket sanksioneve dhe masave kufizuese flasin për orientimin e vendit dhe drejtimin që Estonia e mbështet fuqishëm", informojnë nga Qeveria.

Në takim u diskutua edhe për kryesimin e Maqedonisë së Veriut me OSBE-në. Kryetari i Qeverisë, Kovaçevski u falënderua për mbështetjen estoneze të prioriteteve dhe përpjekjet e bëra për koordinimin në kuadër të kryesimit me OSBE-në. ls/

Foto: Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut

 

QËNDRONI TË LIDHUR