• e martë, 26 nëntor 2024

Kovaçevski: Jo vetëm kryetari i Strugës, por edhe të gjithë këshilltarët që i kanë përkrahur vendimet e tij të japin dorëheqje

Kovaçevski: Jo vetëm kryetari i Strugës, por edhe të gjithë këshilltarët që i kanë përkrahur vendimet e tij të japin dorëheqje

Shkup, 30 qershor 2023 (MIA) - Institucionet të kontrollojnë gjetjet për të gjitha bazat, pse Ramiz Merko u fut në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Është e pakuptueshme se si hetuesit nga SHBA kanë pasur informacione për diçka që ka ndodhur këtu, ndërsa institucionet përgjegjëse në vendin tonë jo, tha kryeministri Dimitar Kovaçevski në seancën për pyetje të deputetëve, duke iu përgjigjur deputetit Bojan Stojanovski nga VMRO-DPMNE, i cili pyeti nëse kryeministri do të kërkonte dorëheqjen e kryetarit të Strugës.

Kovaçevski tha se çdo zyrtar i zgjedhur duhet të punojë sipas ligjeve dhe në interes të qytetarëve dhe përsëriti se po të ishte në listën e zezë të SHBA-së, jo vetëm që do të jepte dorëheqjen, por do të ishte dështimi më i madh i tij në karrierën personale dhe profesionale. Ai konsideron se edhe këshilltarët në Komunë duhet të japin dorëheqje nëse nuk kanë punuar në interes të qytetarëve dhe kanë përkrahur vendimet e tij dhe se periudha më e gjatë në detyrë e Merkos ka qenë në koalicionin e BDI-së me VMRO-DPMNE-në.

"Nëse shikoni arsyet mbi të cilat është marrë vendimi nga Departamenti i Shtetit për ta vendosur atë në listën e zezë, gjatë qëndrimit të tij në detyrë ai ka qenë në koalicion me të gjitha partitë politike, përfshirë edhe tuajën për periudhën më të gjatë të karrierës së tij, atëherë mesazhi im do të ishte -  nëse nuk kanë punuar në interes të qytetarëve, gjë që duhet ta konfirmojnë institucionet, jo vetëm kryetari i Komunës së Strugës, por edhe të gjithë këshilltarët nga të gjitha grupet e këshilltarëve që kanë përkrahur vendimet gjatë periudhës së kaluar duhet të japin dorëheqje së bashku", tha kryeministri.

I pakënaqur me përgjigjen, Stojanovski tha se Kovaçevski nuk ka pasur guxim t'i kërkojë Merkos dorëheqjen nga frika, siç tha ai, se ata (BDI) do të largohen nga koalicioni dhe ai do të duhet të shkojë në zgjedhje.

Pasi Stojanovski nga foltorja e quajti kryeministrin "cirkusant" shpërtheu një debat mes tyre në sallën e Kuvendit, pas së cilës deputeti i partisë opozitare tha se nuk do t'i kërkojë falje Kovaçevskit sepse " nuk ka gjetur fjalë më të përshtatshme për veprimet e tij".

Stojanovski e pyeti edhe ministrin e Drejtësisë Krenar Lloga, paraprakisht i punësuar në Komunën e Strugës, pse ende  nuk është vepruar pas gjashtë lëndëve kundër Ramiz Merkos dhe nëse janë "vlerat evropiane" ato që kanë shtyrë partinë e tij (Aleancën për Shqiptarët) të hyjë në Qeveri.

Lloga u përgjigj se e pret raportin e Këshillit Gjyqësor nga kontrolli që do të bëhet në Gjykatën Themelore në Strugë. Theksoi se në kohën kur VMRO-DPMNE ishte në pushtet, nga kryetari i atëhershëm Zijadin Sela të paktën 20 për qind e lëndëve janë dërguar në Prokurorinë në Strugë dhe në MPB.

"Në vitin 2013-2017, kur isha sekretar i Komunës, pushteti qendror ishte VMRO-DPMNE, prokurori i shtetit ishte zgjedhur nga VMRO-DPMNE. Atëherë ku ishte VMRO-DPMNE? Mund të konkludoj se e keni mbrojtur sepse nuk keni vepruar për katër vjet. Në atë kohë, unë personalisht i dërgova letra Gordana Jankulloskës për akuza për krim. Më vjen keq që më drejtoni gishtin sot", tha Loga. sa/

Foto: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR