• e hënë, 23 dhjetor 2024

Kovaçevski: Fakti që zhvillojmë debat nënkupton se bëhet fjalë për çështje kyçe, procesi do të përfundojë me sukses për qytetarët

Kovaçevski: Fakti që zhvillojmë debat nënkupton se bëhet fjalë për çështje kyçe, procesi do të përfundojë me sukses për qytetarët

Shkup, 25 gusht 2023 (MIA) - Fakti që zhvillojmë debat një kohë të gjatë, do të thotë se bëhet fjalë për çështje jashtëzakonisht të rëndësishme. Nëse bëhet fjalë për vendim që nuk definon të ardhmen, atëherë me gjasë debati nuk do të zhvillohej kaq gjatë dhe kaq në detaje. Procesi do të zhvillohet, do të debatohet dhe do të përfundojë me sukses për qytetarët dhe vendin, theksoi sot kryeministri Dimitar Kovaçevski i pyetur se sa do të zgjasë procesi dhe kur do të votohen ndryshimet kushtetuese.

Ai mbetet në qëndrimin se çdo vendim strategjik është vendim që përcakton të ardhmen për më shumë breza.

"Nëse bëhet fjalë për vendim që nuk definon të ardhmen, atëherë me gjasë debati nuk do të zhvillohej aq gjatë, as në detaje, as në aq shumë nivele. Kjo vetëm konfirmon se bëhet fjalë një çështje jashtëzakonisht të rëndësishme dhe do të zhvillohet aq sa duhet, që të merret një vendim korrekt dhe i duhur për realizimin e qëllimeve dhe vizionin e qytetarëve të këtij vendi", ka thënë Kovaçevski në përgjigjen e pyetjes së gazetarëve në konferencën e përbashkët për shtyp me zëvendësndihmës sekretarin amerikan të shtetit dhe i dërguar special për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Eskobar i cili po qëndron për vizitë në Shkup.

Sipas Kovaçevskit, qytetarët meritojnë të jetojnë në një shoqëri që ka të njëjtat standarde evropiane si vendet anëtare të BE-së.

"Kur filloi procesi, unë kisha një ekspoze më të gjatë në Kuvend, ku kam folur aq shumë për qëllimet që i kemi vendosur, pikërisht për integrimet evropiane dhe euroatlantike, si një ind lidhës i qytetarëve të këtij vendi, me gjithë diversitetin e tyre. Kushdo që është pjesë e një tregu prej gjysmë miliardë njerëz, tregu më i pasur në botë së bashku me tregun e SHBA-së, atëherë ai mund të përparojë. Për shkak se qytetarët tanë e meritojnë këtë, procesi do të zhvillohet, do të debatohet dhe do të përfundojë me sukses për qytetarët dhe vendin", shton Kovaçevski.

I pyetur nëse është optimist se mund të gjendet marrëveshje që Maqedonia e Veriut të marrë një kornizë negociuese me të cilën do të fillojë negociatat, Kovaçevski tha se ai është optimist racional.

"Kjo do të thotë se besoj në arritjen e qëllimit dhe punoj që ai qëllim të arrihet. Mesazhi që dërgoj sërish deri te deputetët në Kuvend është se ata janë përfaqësues të qytetarëve. Qytetarët shumë qartë thonë se duan të jenë pjesë e BE-së. Deputetët duhet të jenë pjesë e idesë evropiane për Maqedoninë e Veriut. Ata kanë marrë përgjegjësinë dhe nderin të përfaqësojnë qytetarët në Kuvend dhe nesër do të jenë pjesë e historisë si persona që siguruan të ardhmen evropiane të vendit. Jam krenar për të gjithë deputetët në Kuvendin tonë të cilët kanë qenë pjesë e marrjes së vendimeve të rëndësishme strategjike dhe të vështira për vendin", ka thënë Kovaçevski.

Foto: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR