• e hënë, 23 dhjetor 2024

Kovaçevski: Bashkëpunimi ekonomik me Turqinë po forcohet, po krijojmë kushte për një klimë të favorshme biznesi për investitorët e huaj dhe vendor

Kovaçevski: Bashkëpunimi ekonomik me Turqinë po forcohet, po krijojmë kushte për një klimë të favorshme biznesi për investitorët e huaj dhe vendor

Shkup, 13 korrik 2023 (MIA) - Kryetari i Qeverisë të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, sot në Stamboll pati një takim me përfaqësues të komunitetit të biznesit nga Turqia, si dhe me kompani që kanë investime në sektorë të ndryshëm në vendin tonë.

Në takim,  njoftuan nga shërbimi për shtyp i Qeverisë, ku morën pjesë ambasadori i Maqedonisë së Veriut në Ankara, Jovan Manasievski, konsulli i përgjithshëm i Maqedonisë së Veriut në Stamboll, Aktan Ago, konsulli i nderit i Maqedonisë së Veriut në Turqi, Eser Xhevahir, si dhe kryetari i Këshillit të Biznesit ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Turqisë dhe Konsulli i Nderit i Maqedonisë së Veriut në Izmir, Bilall Kara. Të pranishëm ishin edhe përfaqësues të kompanive më të mëdha turke në vend, si dhe disa nga investitorët tanë në Turqi.

Në takim, kryeministri Kovaçevski theksoi se Maqedonia e Veriut dhe Turqia kanë tradicionalisht marrëdhënie të mira miqësore që ndikojnë pozitivisht në forcimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, gjë që është e rëndësishme për avancimin e bashkëpunimit dypalësh dhe ekonomik.

Në takim u theksua fakti se Turqia është ndër 10 partnerët e parë tregtarë të Maqedonisë së Veriut, gjë që, siç thuhet në njoftim, u mirëprit nga të dyja palët si nxitje për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit.

" U bisedua për bashkëpunimin ekonomik me Turqinë, për të cilin bashkërisht u theksua se do të forcohet, në të cilin rol të rëndësishëm ka puna e Komisionit të Përbashkët Qeveritar për Bashkëpunim Ekonomik. Në takim u vlerësua gjithashtu se shkëmbimi i përgjithshëm tregtar ndërmjet dy vendeve është i kënaqshëm, ndërsa u shpreh vullneti për rritjen e trendit të bashkëpunimit në disa fusha", thuhet në kumtesën e shërbimit për shtyp të Qeverisë.

 Duke theksuar se Turqia është një partner i rëndësishëm tregtar dhe investues, kryeministri Kovaçevski tha se investimet turke janë ndër më të rëndësishmet dhe më të mëdhatë në vend, të cilat hapin vende pune dhe ndikojnë drejtpërdrejt në rritjen e ekonomisë vendore.

Duke iu referuar hapave konkretë për stimulimin e investimeve të huaja, Kovaçevski theksoi se Qeveria po krijon një mjedis të favorshëm afarist për investime, të cilin e njohin edhe kompanitë e huaja edhe ato vendore.

"Si rezultat i klimës së favorshme të biznesit, kompanitë e huaja dhe vendore kanë rritur dhe zgjeruar bizneset e tyre. Njëkohësisht, kryeministri Kovaçevski theksoi se kjo Qeveri ka dhënë mbështetjen më të madhe financiare për numrin më të madh të kompanive në pesë vitet e fundit dhe kjo mbështetje do të vazhdojë edhe gjatë këtij viti", njoftuan nga Qeveria.

Në takim u shkëmbyen mendime edhe për arritjet e jashtëzakonshme në fushën e investimeve të huaja direkte në Maqedoninë e Veriut, të cilat gjatë vitit 2022 do të shënojnë rritje më shumë se dyfish në krahasim me vitin 2016. sa/

Foto: Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut

QËNDRONI TË LIDHUR