• e shtunë, 23 nëntor 2024

Kosova dhe Arabia Saudite nënshkruan marrëveshje për bashkëpunim në aviacionin civil

Kosova dhe Arabia Saudite nënshkruan marrëveshje për bashkëpunim në aviacionin civil

Prishtinë, 29 tetor 2024 (MIA) - Republika e Kosovës dhe Mbretëria e Arabisë Saudite nënshkruan marrëveshje për shërbime të drejtpërdrejta ajrorre mes dy vendeve, me të cilën parashihet hapje e linjave komerciale ajrore mes tyre nga viti i ardhshëm, lajmëroi korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.

Nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje u bë në Qeverinë e Kosovës nga ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu së bashku me zëvendëspresidentin ekzekutiv për Transportin Ajror dhe Bashkëpunimin Ndërkombëtar në Autoritetin e Përgjithshëm të Aviacionit Civil në Arabinë Saudite, Ali Bin Mohammed Raxhab.

Ministri Aliu në fjalën e tij tha se kjo marrëveshje është me rëndësi të veçantë për aviacionin civil dhe krijon mundësinë për fillimin e linjave ajrore direkte ndërmjet të dy vendeve.

"Kjo marrëveshje do të mundësojë qarkullim të madh të mallrave dhe njerëzve midis dy vendeve tona. Do të hapë mundësi të reja për linjat tona ajrore, forcojë turizmin dhe nxisë ekonomitë tona", theksoi Aliu.

Ndërkaq zëvendëspresidenti Raxhab tha se Arabia Saudite e cila është ndër vendet e para që e ka njohur pavarësinë e Kosovës, do ta përkrahë Kosovën në të gjitha aspektet.

Ai tha se po mundohen të promovojnë çdo herë e më shumë shkëmbim kulturor dhe bashkëpunim midis dy vendeve.

"Jam i lumtur të njoftoj se me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje, NAS Airlines do të fillojë me fluturime direkte nga tetori i vitit 2025 dhe ata gjithashtu do të punojnë fort që të mund të fillojnë edhe më herët", theksoi Raxhab.

Ai tha se presin që kjo marrëveshje të sjellë më shumë turistë arabë në Kosovë dhe ta shijojnë bukurinë e vendit dhe mirësjelljen e kosovarëve, por, gjithashtu presin vizitorë kosovarë sidomos në Mekë dhe Medine.

Ceremonia e nënshkrimit u realizua në prani të delegacionit të lartë shtetëror të Mbretërisë së Arabisë Saudite të prirë nga Ministri i Haxhit dhe Umres, Tavfik bin Fawzan Al-Rabiah, bashkë me zyrtarë të tjerë të lartë shtetërorë sauditë të cilët po qëndrojnë në një vizitë në Kosovë për të "forcuar edhe më tutje raportet e shkëlqyera ndërshtetërore me nisma dhe marrëveshje të ndryshme në interes të të dyja vendeve".

 

QËNDRONI TË LIDHUR