• e shtunë, 23 nëntor 2024

Kosovë: OSBE e shqetësuar për shkak të miratimit të ligjit për mediumet pa u marrë parasysh vërejtjet e ekspertëve

Kosovë: OSBE e shqetësuar për shkak të miratimit të ligjit për mediumet pa u marrë parasysh vërejtjet e ekspertëve

Prishtinë, 11 korrik 2024 (MIA) - Misioni i OSBE-së në Kosovë shprehi shqetësim lidhur me miratimin në Kuvendin e Kosovës të Projektligjit për Komisionin e Pavarur të Mediave (KPM), lajmëroi korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.

Përmes kumtesës për mediumet, OSBE e kritikon partinë në pushtet, të cilën e udhëheqë kryeministri Albin Kurti, sepse deputetët e saj e votuan ligjin i cili është përpiluar pa u marrë parasysh vërejtjet e ekspertëve ndërkombëtarë. 

OSBE thekson se rekomandimet janë dhënë nga ekspertë ndërkombëtarë në emër të Këshillit të Evropës, BE-së dhe OSBE-së, ndërsa kanë të bëjnë me harmonizimin e ligjit me standardet për lirinë e fjalës.

Tutje OSBE ka theksuar se rekomandimet kryesore të ekspertëve të cilat nuk janë marrë parasysh kanë reflektuar shqetësime rreth dispozitave të reja të cilat do të kenë ndikim në përbërjen, rolin dhe përgjegjësitë e KPM-së, si dhe në procedurat për zgjedhjen e anëtarëve të rinj dhe kushtet e shërbimit për të zgjedhurit.

"Rekomandimet mbi rolin dhe përgjegjësitë e KPM-së gjatë fushatave zgjedhore gjithashtu nuk janë marrë parasysh. Zgjerimi i juridiksionit të KPM-së në mediat sociale, i shoqëruar me mungesën e kritereve të qarta për bllokimin e përmbajtjeve të dëmshme, ngre shqetësime për proporcionalitetin dhe ka implikime të mundshme për lirinë e shprehjes. U bënë disa përpjekje për të rishikuar disa nene për të arritur qartësi ligjore dhe për të futur masa mbrojtëse procedurale, por ligjit ende i mungojnë mekanizmat efektivë të vetë-rregullimit”, thuhet tutje në reagim.

Misioni i OSBE-së në Kosovë ka shtuar se ndërsa mirëpresim futjen e rregulloreve në lidhje me pronësinë dhe përqendrimin e mediave, vërejmë gjithashtu se, siç janë hartuar, atyre u mungon qëndrueshmëria procedurale.

Ekspertët ndërkombëtarë ofruan komentet dhe rekomandimet e tyre në përpjekje për të siguruar që ky legjislacion i ri jo vetëm që do të pasqyronte standardet ndërkombëtare dhe praktikat më të mira, por gjithashtu do të ishte i përshtatshëm për qëllimin, që do të forconte Komisionin e Pavarur të Mediave dhe do të ruante pavarësinë shumë të rëndësishme të këtij organi.

Misioni i OSBE-së mbetet i përkushtuar për të mbështetur Kosovën në përafrimin e legjislacionit të saj për të përmbushur standardet më të larta ndërkombëtare.

Do të jetë e rëndësishme që ligji i miratuar tani të jetë objekt i një rishikimi të plotë, ​​gjatë të cilit duhet të kërkohen pikëpamjet e ekspertëve kosovarë dhe ndërkombëtarë. Ndërkohë ne jemi të gatshëm si gjithmonë për të mbështetur KPM-në me këshilla të ekspertëve dhe ngritjen e kapaciteteve", thuhet në fund të reagimit. ab/

 

QËNDRONI TË LIDHUR