Kos: Sa i përket integrimit evropian, Maqedonia e Veriut është histori e trishtueshme e Ballkanit
- – Nëse Ukraina pret aq sa Maqedonia e Veriut pret fillimin e bisedimeve me BE-në, atëherë Ukraina do t’i fillonte bisedimet në vitin 2045. Ajo është histori e trishtueshme e Ballkanit, bashkë me Kosovën dhe Bosnjën e Hercegovinën, thotë në intervistë për Radion Evropa e Lirë (REL), eurokimisarja për zgjerim në Komisionin Evropian, Marta Kos.
- Post By Fitore Curri
- 13:47, 29 prill, 2025
Shkup, 29 prill 2025 (MIA) – Nëse Ukraina pret aq sa Maqedonia e Veriut pret fillimin e bisedimeve me BE-në, atëherë Ukraina do t’i fillonte bisedimet në vitin 2045. Ajo është histori e trishtueshme e Ballkanit, bashkë me Kosovën dhe Bosnjën e Hercegovinën, thotë në intervistë për Radion Evropa e Lirë (REL), eurokimisarja për zgjerim në Komisionin Evropian, Marta Kos.
Ajo, në intervistën për REL të bërë para vizitës së saj në Serbi, shfaqi shpresë se deri në fund të mandatit të saj si eurokomisare, pozitë të cilën e mori në shtator të vitit 2024, Mali i Zi dhe Shqipëria do të mund të bëheshin anëtare të Bashkimit Evropian.
“E dini, unë vij nga Sllovenia, e cila dikur ishte pjesë e këtij territori në një kuptim më të gjerë. Pra, në disa aspekte, rajoni ishte më i mirë 20 vjet më parë sesa është sot. Dhe ka dy ose tre histori shumë të trishtueshme. Njëra prej tyre është se Kosova nuk mund të ecë përpara. Një tjetër histori e trishtueshme është Maqedonia e Veriut. E dini, nëse Ukraina pret aq sa pret Maqedonia e Veriut për të filluar bisedimet, atëherë Ukraina do të fillonte bisedimet në vitin 2045. Dhe, sigurisht, këtu është edhe Bosnja dhe Hercegovina”, theksoi Kos.
Sa i përket zgjerimit të BE-së, Kos thotë se që kur ishte kandidate për komisare, ka thënë se zgjerimi sot është ndryshe se sa që ishte para pesë vjetëve.
"Megjithatë, sot them se procesi i zgjerimit është i ndryshëm nga ai që ishte në janar, sepse shumë gjëra kanë ndryshuar, përfshirë qeverinë e re të Shteteve të Bashkuara (SHBA). Gjeopolitika ka ndryshuar në kuptimin që ishte një përparësi para zgjerimit, por nuk lidhej aq shumë me pjesën e sigurisë dhe paqes. Dhe përsëri, disi me zgjerimin e sotëm, po kthehemi te bazat e themelimit të BE-së. Ishte për të siguruar paqen, lirinë, prosperitetin, dhe sot mund të shtojmë sigurinë. Kjo është në të vërtetë ajo që po bëjmë në të gjithë procesin", tha Kos.
Gjithsesi, shtoi eurokomisarja, ende bëhet fjalë për kapituj, klasterë dhe përcaktues, por kjo është shumë më e rëndësishme në kuptim se nëse nuk kemi sukses në këtë, në fakt, do ta them kështu, nuk guxojmë të mos kemi sukses.
Ajo vlerëson se sot është shumë me rëndësi që të mos dështojmë në procesin e zgjerimit, që, siç thotë, është politika më e suksesshme e jashtme e BE-së.
“Do të ishte një dështim nëse nuk do të fusnim asnjë anëtar të ri në BE gjatë Komisionit aktual Evropian dhe jam i sigurt se mund ta bëjmë këtë. Mund ta bëjmë këtë me Malin e Zi. Të gjitha kapitujt janë të hapur, kështu që po i mbyllim ato në mënyrë që ta përfundojmë procesin në fund të vitit 2026 nga një këndvështrim teknik. Me Shqipërinë, mund ta përfundojmë procesin nga një këndvështrim teknik deri në fund të vitit 2027. Pse them nga një këndvështrim teknik? Sepse është një procedurë negociuese dhe vendet kandidate duhet të zbatojnë reformat, por pastaj u takon vendeve anëtare të vendosin nëse do të bëhen anëtarë apo jo”, thotë Kos në një intervistë për REL. fc/
Foto: Arkivi i MIA-s