• e premte, 05 dhjetor 2025

Konferenca e KB-së për konfliktin izraelito-palestinez do të përfundojë me thirrje për t'i dhënë fund sundimit të Hamasit në Gaza

Konferenca e KB-së për konfliktin izraelito-palestinez do të përfundojë me thirrje për t'i dhënë fund sundimit të Hamasit në Gaza

Nju-Jork, 30 korrik 2025 (MIA) - Konferenca Ndërkombëtare e KB-së për zgjidhjen e konfliktit izraelito-palestinez përmes krijimit të dy shteteve përfundoi, me ç'rast 17 vende bëjnë thirrje për t'i dhënë fund sundimit të Hamasit në Rripin e Gazës dhe veprimeve konkrete për armëpushim.

Në forumin, e thirrur nga Asambleja e Përgjithshme e KB-së dhe bashkëkryesuesi i Parisit dhe Riadit në selinë e organizatës botërore në Nju-Jork, morën pjesë dhjetëra ministra nga një numër i madh vendesh.

"U pajtuam të ndërmarrim veprime kolektive për ndërprerje të luftës në Gaza me qëllim që të arrijmë zgjidhje të drejtë, të qetë dhe të përhershme në konfliktin izraelito-palestinez në bazë të zbatimit efikas të zgjidhjes për dy shtete", thuhet në deklaratën përfundimtare të konferencës.

Dokumenti prej shtatë faqesh dënon sulmet e Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor të vitit 2023, të cilat shkaktuan konfliktin në Gaza, ndërsa gjithashtu citon se grupi palestinez duhet t'i dorëzojë armët e tij Autoritetit Palestinez me seli në Bregun Perëndimor.

Në deklaratë, gjithashtu, dënohen "sulmet e Izraelit ndaj popullatës civile në Gaza dhe infrastrukturës civile, rrethojës dhe urisë, që çuan në një katastrofë humanitare". Dokumenti i bën thirrje armatës izraelite t'i tërheqë forcat e tij nga Gaza dhe t'i ndalë kolonët izraelit në Bregun Perëndimor të pushtuar.

Nënshkruesit, gjithashtu, shprehin mbështetje për formimin e forcave të KB-së për të ndihmuar në vendosjen e stabilitetit në rajon.

Britania e Madhe, Franca, Kanadaja, Norvegjia dhe Irlanda janë mes vendeve që e nënshkruan deklaratën përfundimtare. Teksti u mbështet edhe nga Arabia Saudite dhe Jordani, si dhe nga Egjipti dhe Katari, të cilat veprojnë si ndërmjetësues mes Izraelit dhe Hamasit për lidhje të marrëveshjes për armëpushim.

Deklarata duhet të miratohet zyrtarisht nga KB-ja deri në shtator, ndërsa deri atëherë do të nënshkruhet edhe nga vende tjera, shënon DPA.

Pritjet për konferencën nuk ishin të mëdha për shkak të mungesës së Izraelit dhe SHBA-së. sa/

foto: DPA

QËNDRONI TË LIDHUR