Shkup, 29 dhjetor 2024
E ndaluan edhe abetaren: BOLL MË!
Bashkimi Demokratik e Integrimit (BDI) dënon miratimin e ligjit në Kuvend të propozuar nga Ministria e Arsimit, me mbështetjen e VLEN-DPMNE-së, që ndalon përdorimin e Abetares Kombëtare, një simbol i rëndësishëm i gjuhës dhe identitetit shqiptar, i cili përdoret nga të gjithë shqiptarët kudo në botë.
Ironikisht, vetëm disa javë më parë, kryetarë komunash nga vlen bënë promovimin dhe shpërndarjen e kësaj abetareje si pjesë e një projekti të qeverisë së kaluar, duke e konsideruar atë si një arritje për nxënësit shqiptarë.
Sot, të njëjtët kanë propozuat dhe votuar ndalimin e saj, duke dhënë një mesazh të qartë për mungesën e respektit ndaj gjuhës shqipe dhe të drejtave arsimore të shqiptarëve.
Një tjetër goditje ndaj barazisë dhe të drejtave të shqiptarëve është vendosja e një testi të detyrueshëm verëm për gjuhën maqedonase për të gjithë kandidatët për drejtorë të shkollave fillore, madje edhe në shkolla ku mësimi zhvillohet vetëm në gjuhën shqipe.
Ky veprim është diskriminues dhe krijon asimetri të thellë mes gjuhës maqedonase dhe gjuhës shqipe, duke dëmtuar rëndësinë dhe barazinë që garanton Kushtetuta.
BDI shpreh shqetësimin e thellë për këto masa të cilat jo vetëm që kërcënojnë të drejtat e shqiptarëve, por cenojnë edhe unitetin dhe kohezionin shoqëror në vend.
Përpjekjet për të kufizuar institucionalisht dhe ligjërisht rëndësinë e gjuhës shqipe dhe për të diskriminuar shqiptarët në fushën e arsimit janë të papranueshme dhe në kundërshtim të plotë me aspiratat euroatlantike të vendit tonë.
Boll më!
I bëjmë thirrje qeverisë aktuale me legjitimitet monoetnik që të heq dorë nga këto politika përçarëse dhe të rikthejë fokusin tek bashkëjetesa, barazia dhe respekti reciprok mes komuniteteve. Shqipëtarët kanë dhënë shumë për këtë vend dhe meritojnë të trajtohen me dinjitet dhe respekt.
BDI do të vazhdojë të mbrojë të drejtat dhe interesat e shqiptarëve në çdo nivel dhe do të përdorë të gjitha mjetet demokratike për të siguruar barazi dhe drejtësi.
BDI do të mbështes çdo debat mbipartiak në interes të depolitizimit të arsimit.
Bashkimi Demokratik për Integrim
_____________________________________________
МIА këto tekste i publikon në formë integrale dhe nuk mban përgjegjësi për përmbajtjen e tyre.