Komuna e Tetovës: Janë paguar të gjitha pagat e mbetura për punonjësit e NPK Tetova-Tetovë
- Komuna e Tetovës njofton se nga sot nuk ka asnjë borxh të pagave, të trashëguara, ndaj punonjësve të Ndërmarrjes Publike Komunale (NPK) Tetova-Tetovë. Të gjitha pagat e mbetura janë paguar në plotësi, duke përfshirë katër pagat e prapambetura që kishin mbetur nga periudhat e kaluara.
- Post By Besnik Shuki
- 13:32, 25 dhjetor, 2024
Tetovë, 25 dhjetor 2024 (MIA) - Komuna e Tetovës njofton se nga sot nuk ka asnjë borxh të pagave, të trashëguara, ndaj punonjësve të Ndërmarrjes Publike Komunale (NPK) Tetova-Tetovë. Të gjitha pagat e mbetura janë paguar në plotësi, duke përfshirë katër pagat e prapambetura që kishin mbetur nga periudhat e kaluara.
Ky veprim, thuhet në kumtesën Zyres për Komunikim dhe Marrëdhënie me Publikun pranë Komunës së Tetovës, tregon qartë angazhimin e Komunës së Tetovës për dinjitetin dhe mirëqenien e çdo punonjësi të NPK-së, të cilët janë një pjesë e rëndësishme e strukturës sonë dhe punojnë çdo ditë për të siguruar shërbime cilësore për qytetarët. Komuna e Tetovës ka demonstruar një angazhim të palëkundur për të përmbushur detyrimet e saj ndaj të punësuarve dhe për t’u siguruar që ata të trajtohen me respekt dhe në përputhje me ligjin.
"Për Komunën e Tetovës, punëtorët nuk janë thjesht një numër në statistika, por janë individë që përbëjnë shtyllën e çdo zhvillimi dhe progresi. Kjo është arsyeja pse, që nga fillimi, ka qenë prioritet për ne që të sigurojmë që çdo punëtor të marrë pagesën e tij në kohë dhe në përputhje me meritat e tij. Për Komunën e Tetovës, angazhimi për mirëqenien e qytetarëve dhe të punonjësve është përgjegjësi dhe ky hapi i sotëm është një tjetër dëshmi e këtij përkushtimi", thuhet në kumtesë.
Komuna e Tetovës fton të gjithë qytetarët dhe punonjësit të vazhdojnë të kontribuojnë për një qytet më të mirë, ku çdo individ të ketë mundësinë të jetojë me dinjitet dhe në kushte të drejta. bsh/