• e diel, 11 janar 2026

Komisioni për politikë të jashtme miratoi Propozim-ligjin për ratifikimin e Marrëveshjes me Mbretërinë e Bashkuar

Komisioni për politikë të jashtme miratoi Propozim-ligjin për ratifikimin e Marrëveshjes me Mbretërinë e Bashkuar

Shkup, 28 maj 2025 (MIA) - Propozim-ligji për ratifikimin e Marrëveshjes midis Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut me partneritet për realizimin e projekteve infrastrukturore ka marrë dritë të gjelbër nga Komisioni i Kuvendit  për politikë të jashtme, pas çka sot pritet të gjendet në rend të ditës së seancës së 52-të plenare. Propozim-ligji u mbështet me 10 vota "për" dhe vetëm një votoi "kundër".

Sipas deputetëve të VMRO-DPMNE-së, marrëveshja e tillë do të mundësojë zhvillimin ekonomik të vendit, sepse vendosen në dispozicion pesë miliardë funta, që është injeksion i madh për ekonominë, ndërsa zbatimi i saj do të kontrollohet.

"Kemi mundësinë të arrijmë deri në pesë miliardë funta, që është një kontribut i madh lidhur me situatën në të cilën jemi. Nuk duhet të jemi skeptikë. Kjo do të kontribuojë në zhvillimin ekonomik të vendit. Ky është një injektim shumë i madh dhe premton zhvillim. Ka shumë mundësi dhe do të ketë kontroll, që sigurisht është mirë. Jam e bindur se Maqedonia e Veriut do të bëjë gjithçka që kjo mbështetje britanike të realizohet dhe do të ndiqet puna. Kjo nuk është biznis privat dhe interesa personale", tha deputetja e VMRO-DPMNE-së, Ivanka Vasilevska.

Vërejtja e opozitës është se nuk bëhet fjalë për marrëveshje, por për memorandum për bashkëpunim ku shprehen synimet për bashkëpunim.

"Përmbajtja është korrekte në aspekt të memorandumit, por forma që memorandumi të paraqitet si marrëveshje bën precedent në vendimet që i merr Kuvendi dhe në të ardhmen mund të shkaktojë memorandume të tilla të paraqiten si marrëveshje", tha Dimitar Kovaçevski nga LSDM-ja.

Qëllimi i Marrëveshjes, e cila do të jetë në fuqi për 10 vjet, është të krijojë një partneritet për të mbështetur realizimin e projekteve të infrastrukturës në sektorët e transportit, shëndetësisë, teknologjisë, energjetikës dhe sektorëve tjerë kritikë në vend. Marrëveshja është nënshkruar më 22 maj në Londër, ndërsa më parë ka kaluar në një seancë të qeverisë më 20 maj. Nënshkrimi i dokumentit vijoi pas marrëveshjes së arritur për partneritet strategjik me Mbretërinë e Bashkuar midis kryeministrit Hristijan Mickoski dhe homologut të tij britanik, Kir Starmer, që u publikua në takimin në Tiranë më 18 maj, të mbajtur në kuadër të Samitit të komunitetit politik evropian.

Nga Qeveria paralajmëruan se marrëveshja do të jetë publike dhe se gjithçka do të jetë transparente. rq/bsh/

Foto: arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR