• e hënë, 23 dhjetor 2024

Komisioni i Çështjeve Evropiane: Mbështetje daneze për proceset tona të integrimeve evropiane

Komisioni i Çështjeve Evropiane: Mbështetje daneze për proceset tona të integrimeve evropiane

Shkup, 19 shtator 2023 (MIA) - Anëtarët e Komisionit kuvendor për Çështje Evropiane sot kishin takim me delegacionin parlamentar danez të Komisionit të Çështjeve Evropiane, në kuadër të vizitës së tyre të punës në vendin tonë. 

Fjalim hyrës në takim kishte zëvendëskryetarja e Komisionit, Arta Bilalli Zendeli, e cila theksoi se me Mbretërinë e Danimarkës kemi marrëdhënie të mira miqësore, në të gjitha sferat, me çka u falënderua për mbështetjen daneze në procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian me vendet e Ballkanit Perëndimor, ndërsa në atë kontekst edhe të vendit tonë.

Duke përkujtuar se Parlamenti danez ishte i pari, i cili e ka ratifikuar Marrëveshjen tonë për Stabilizim dhe Asocim, si dhe Protokollit për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut në NATO, ajo shfaqi shpresë se Danimarka edhe më tutje do ta mbështesë vendin tonë në rrugën drejtë BE-së. 

Në këtë kontekst, Bilali Zendeli theksoi se si vend kandidat për anëtarësim në BE, jemi të obliguar t'i respektojmë udhëzimet në Kornizën tonë negociuese për anëtarësim në BE, në të cilën, ndër të tjera, duhet t'i përfshijmë edhe bullgarët në Kushtetutën tonë. Njëkohësisht informoi se ndryshimet kushtetuese janë në procedurë parlamentare dhe se pret që ato të miratohen sa më shpejt që të mbahet Konferenca Ndërqeveritare gjatë presidencës spanjolle, gjegjësisht deri në fund të vitit, në mënyrë që vendi të marrë një impuls pozitiv dhe entuziazëm për realizimin e reformave të nevojshme.

Kryetari i Komisionit të Çështjeve Evropiane, Nils Fleming Hansen, e përsëriti mbështetjen daneze për proceset e integrimeve evropiane të vendit tonë dhe se e kupton shqetësimin tonë nëse përsëri nuk do të ketë bllokada në rrugën tonë të integrimeve evropiane. 

Siç është bërë e ditur në kumtesën e shërbimit për informim të Qeverisë, Hansen ka theksuar se Maqedonia e Veriut duhet ta respektojë detyrimin nga Korniza negociuese dhe t'i votojë ndryshimet kushtetuese, por njëkohësisht edhe të punojë në zbatimin e ligjeve dhe rregullave të cilat i kërkon BE-ja nga ne në më shumë sfera. fc/

Fotografia: Kuvendi i RMV-së

QËNDRONI TË LIDHUR