• e premte, 12 korrik 2024

Kina i hodhi poshtë akuzat e NATO-s për mbështetje të luftës ruse në Ukrainë

Kina i hodhi poshtë akuzat e NATO-s për mbështetje të luftës ruse në Ukrainë

Pekin, 11 korrik 2024 (MIA) - Kina e akuzoi NATO-n se e denigron vendin dhe kërkoi nga Aleanca që të qëndrojë jashtë Azisë, sepse ushtria e saj demonstroi ndikim të rritur me numër rekord të operacioneve ajrore në afërsi të Tajvanit dhe stërvitje detare në afërsi të Filipineve.

Pekini sot e kritikoi NATO-n për shkak të akuzave të aleancës transatlantike se Kina është bërë "mundësuese vendimtare" e luftës ruse kundër Ukrainës. 

Liderët e NATO-s kërkuan që dje Kina të "ndërpresë çdo mbështetje materiale dhe politike të përpjekjeve ushtarake ruse" në dënimin e saj më të ashpër deri më tani të Pekinit. 

Në deklaratën e përbashkët në samitin e saj vjetor në Uashington, NATO tha se "mbështetja e madhe e Pekinit për bazën industriale të mbrojtjes ruse... e rrit kërcënimin që Rusia e përfaqëson për fqinjët e saj dhe për sigurinë euroatlantike". 

Pekini njoftoi se ka bërë parashtresë në NATO në lidhje me akuzat, të cilat i quajti "provokuese me gënjeshtra dhe shpifje flagrante".

Misioni kinez në BE njoftoi se Pekini kërkon zgjidhje politike për luftën në Ukrainë dhe asnjëherë nuk ka siguruar armë vdekjeprurëse në asnjë nga palët në konflikt, duke shtuar se "rrjedha tregtare normale" e saj me Rusinë nuk duhet të jetë mjet i ndërprerjes ose detyrimit. 

Pekini i kundërshtoi akuzat e NATO-s me paralajmërim që Aleanca të mbetet jashtë Azisë, për të cilën tha se është "vend për zhvillim paqësor, e jo vend për luftë për garë gjeopolitike". 

"NATO 'vazhdon të luajë lidhjen midis sigurisë së Evropës dhe sigurisë së Azi-Paqësorit'...Ne i bëjmë thirrje të mbetet brenda rolit të saj si një organizatë rajonale e mbrojtjes në Atlantikun e Veriut. NATO nuk duhet të bëhet një përçarës i paqes dhe stabilitetit në Azi-Paqësor ose mjet i përdorur nga disa fuqi të mëdha për të ruajtur hegjemoninë", thuhet në deklaratën kineze.

Retorika e ndezur vjen pasi Japonia, Koreja e Jugut, Australia dhe Zelanda e Re u përfshinë në samitin e NATO-s, praktikë që filloi pas sulmit të plotë të Rusisë ndaj Ukrainës në vitin 2022. 

Si përgjigje për fuqinë e rritur rajonale të Armatës Çlirimtare Popullore, aleatët e SHBA-së në Azi, duke përfshirë edhe Japoninë dhe Filipinet, e fuqizuan planifikimin e përbashkët, stërvitjet dhe shpërndarjen e armëve. Anëtaret e NATO-s si Britania e Madhe, Franca, Kanadaja dhe Gjermania, gjithashtu, i rritën operacionet ushtarake dhe bashkëpunimin e sigurisë në rajon.

Pekini u tërhoq, ndërsa përfaqësuesit më të lartë ushtarakë kinezë i dënuan përpjekjet e SHBA-së për fuqizimin e lidhjeve me aleatët e tyre në rajon si komplot për krijimin e "NATO-s aziatike". fc/

Fotografia: EPA

QËNDRONI TË LIDHUR