• e hënë, 23 dhjetor 2024

Kiev: Ukraina dhe Polonia ranë dakord për një plan veprimi për zhbllokimin e kufirit të përbashkët

Kiev: Ukraina dhe Polonia ranë dakord për një plan veprimi për zhbllokimin e kufirit të përbashkët

 

Kiev, 23 dhjetor 2023 (MIA) - Ministria e Rindërtimit të Ukrainës, së bashku me udhëheqjen e re të Ministrisë së Infrastrukturës së Polonisë, ranë dakord për një plan veprimi për zhbllokimin e kufirit ukrainas-polak.

Ministria e Ukrainës për Zhvillim Komunal, Territorial dhe Infrastrukturor njoftoi në "Fejsbuk" se dje është mbajtur takimi mes zëvendësministrave të kësaj ministrie, Sergej Derkaç dhe Jurij Vaskov, me zëvendësministrin e sapoemëruar të Ministrisë së Infrastrukturës së Polonisë, Pavel Gançarc.

“Rezultati kyç i takimit është marrëveshja për qëndrimet e përgjithshme për zhbllokimin e kufijve. Palët arritën një mirëkuptim të ndërsjellë për zgjidhjet kompromise dhe zbatimin e tyre. Faza tjetër do të jetë fillimi i negociatave në nivel të Ministrisë së Infrastrukturës së Polonisë me protestuesit”, thuhet në kumtesën e  ministrisë ukrainase.

Në kumtesën theksohet se nuk është diskutuar çështja e ndryshimeve në marrëveshjen aktuale për liberalizimin e transportit të mallrave.

Edicioni polak "Polonia virtuale" publikoi se autoritetet polake informojnë edhe për një tjetër depërtim në zgjidhjen e problemit të bllokimit të kufirit.

“Shpresoj që pas takimit të sotëm, ministri Dariush Klimçak do të takohet me komitetin e protestuesve në kufi dhe ky problem do të zgjidhet deri në Krishtlindje”, tha mbrëmë zëvendësministri polak i Infrastrukturës Pavel Gançarc.

Sipas tij, tani janë duke u negociuar detajet përfundimtare që do të çojnë në një marrëveshje përfundimtare. Ministri i infrastrukturës së Polonisë, Dariush Klimçak, është në kontakt të drejtpërdrejtë me protestuesit, tha zëvendësi i tij.

Transportuesit polakë filluan një grevë në kohë të pacaktuar më 6 nëntor. Ndër kërkesat kryesore ndaj qeverisë ukrainase është kthimi i praktikës së lejeve për transportuesit ukrainas, e cila u hoq me marrëveshjen me BE-në nga 30 qershor 2024. Më 23 nëntor, aksionit iu bashkuan edhe fermerët polakë. Si rezultat, në kufirin me Poloninë u krijuan radhë të mëdha kamionësh, të cilët numëronin më shumë se dy mijë e gjysmë automjete, me drejtuesit që përballeshin me rrethana jashtëzakonisht të vështira. Deri më tani, të paktën tre shoferë ukrainas kanë vdekur duke pritur në këtë radhë. ls/

Foto: Arkivi i EPA-s 

QËNDRONI TË LIDHUR