KE-ja shpreson se SHBA do ta rishqyrtojë vendimin për tërheqje nga OBSH-ja
- Komisioni Evropian me shqetësim sheh njoftimin e SHBA-së për tërheqje nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) dhe shpreson se administrata amerikane do ta rishqyrtojë vendimin e saj, deklaroi sot zëdhënësja e KE-së për të drejtat dhe aftësitë sociale, gatishmëri, barazi, kulturë dhe shëndetësi, Eva Hrnçirova.
- Post By Fami Bajrami
- 13:30, 21 janar, 2025
Bruksel, 21 janar 2025 (MIA) - Komisioni Evropian me shqetësim sheh njoftimin e SHBA-së për tërheqje nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) dhe shpreson se administrata amerikane do ta rishqyrtojë vendimin e saj, deklaroi sot zëdhënësja e KE-së për të drejtat dhe aftësitë sociale, gatishmëri, barazi, kulturë dhe shëndetësi, Eva Hrnçirova.
“Nëse duam të jemi të qëndrueshëm ndaj kërcënimeve globale shëndetësore, duhet të ketë bashkëpunim global në fushën e shëndetësisë”, shtoi Hrnçirova.
Sipas saj, pandemia e koronavirusit është shembulli më i mirë i nevojës për bashkëpunim global në sferën e shëndetësisë, sepse “viruset nuk ndalen në kufij”.
Lidhur me vërejtjet për efikasitetin e OBSH-së, Hrnçirova tha se gjithmonë ka vend për përmirësim dhe BE-ja dëshiron të përfshihet në reformat e mundshme të Organizatës.
"Na duhet zgjidhje e përbashkët për problemet e përbashkëta. Nëse duam të kemi reforma në OBSH, atëherë duhet të angazhohemi për të”, shtoi Hrnçirova.
Në lidhje me “boshllëkun e pritshëm financiar” që do të krijohej në OBSH me tërheqjen e SHBA-së, Hrnçirova theksoi se BE-ja dhe partnerët e saj me kujdes kanë analizuar situatën rreth kësaj çështje.
“U bëjmë thirrje të gjitha vendeve anëtare të OBSH-së që të përballen me këtë sfidë dhe të rrisin alokimet e tyre, në mënyrë që të sigurohet financim i parashikueshëm dhe fleksibël për OBSH-në”, shton Hrnçirova.
Foto: skrinshot