• e premte, 05 dhjetor 2025

KE në raportin për zgjerim të vendit: Është arritur progres i rëndësishëm në zbatimin e reformave

KE në raportin për zgjerim të vendit: Është arritur progres i rëndësishëm në zbatimin e reformave

Bruksel, 3 nëntor 2025 (MIA) – Maqedonia e Veriut arriti progres të rëndësishëm në zbatimin e reformave të parapara me Agjendën e Reformave, për çka dëshmi është edhe pagesa e dy kësteve të mjeteve në kuadër të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, bëhet e ditur në Raportin për progresin e vendit në rrugën evropiane, që Komisioni Evropian zyrtarisht do ta publikojë nesër. 

“Autoritetet e (Maqedonisë) vazhduan të punojnë në zbatimin e udhërrëfyesve për sundimin e drejtësisë, të reformës në administratën publike dhe të funksionimit të institucioneve demokratike, si dhe të Planit të Veprimit për mbrojtje të pakicave”, thuhet në raport.

Megjithatë, në të vërehet se vendi duhet t’i intensifikojë përpjekjet për respektimin e sundimit të drejtësisë, veçanërisht mbrojtjen e pavarësisë dhe integritetit të gjyqësorit dhe ta fuqizojë luftën kundër korrupsionit, me çka vlerësohet se është arritur “progres i kufizuar” në sferën e reformave gjyqësore. 

Si zhvillim pozitiv i ngjarjeve në raport theksohet formimi i Këshillit për bashkëpunim ndërmjet Qeverisë dhe shoqërisë civile dhe vlerësohet se vendi ka arritur progres të caktuar në lidhje me pluralizmin dhe lirinë e mediave dhe të lirisë së shprehjes. 

Komisioni Evropian në dokument thekson edhe se vendi plotësisht ishte harmonizuar me politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së, si dhe se një nga shtetet që u përfshi në Konventën për transit të përbashkët, qëllimi i të cilit është përshpejtim i lëvizjes së mallrave përmes kufijve. 

Në raport përsëritet edhe qëndrimi i parashtruar më parë për nevojën e zbatimit “me vullnet të mirë nga të gjitha palët” e marrëveshjeve të lidhura dypalëshe, duke përfshirë edhe Marrëveshjen e Prespës me Greqinë dhe Marrëveshjen për miqësi, fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim me Bullgarinë. 

Gjithashtu, shënohet edhe se ende nuk janë miratuar ndryshimet kushtetuese drejt përfshirjes në Kushtetutë të qytetarëve të cilët nuk përfaqësojnë shumicë, siç janë bullgarët, për çka vendi ka marrë detyrim. fc/

Foto: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR