• e hënë, 23 dhjetor 2024

KB: Në tërmetin e fundit në Afganistan, 90 për qind e të vdekurve ishin gra dhe fëmijë

KB: Në tërmetin e fundit në Afganistan, 90 për qind e të vdekurve ishin gra dhe fëmijë

Nju Jork, 12 tetor 2023 (MIA) - Më shumë se 90 për qind e të vdekurve në tërmetin në Afganistan që ndodhi të shtunën e kaluar ishin fëmijë dhe gra, kumtuan sot Kombet e Bashkuara.

Zyrtarët talebanë informuan se numri i të vdekurve në tërmetet me magnitudë 6,3 në perëndim të Afganistanit, afër qytetit Herat, është rritur në më shumë se 2.000 dhe se janë të të gjitha moshave dhe gjinive.

Sipas OKB-së, epiqendra e tërmetit ishte në zonën Zenda Jan, ku 1.294 njerëz vdiqën, 1.688 u plagosën, ndërsa të gjitha shtëpitë u shkatërruan.

Shefi i zyrës në terren të UNICEF-it në Herat, Sidig Ibrahim, tha se kishte më shumë gjasa që gratë dhe fëmijët të ishin në shtëpitë e tyre në mëngjes kur goditi tërmeti i parë, i ndjekur nga disa tjerë të fuqishëm.

"Kur ndodhi tërmeti i parë, njerëzit menduan se ishte një shpërthim dhe hynë në shtëpitë e tyre," tha ai.

Qindra të tjerë, kryesisht gra, janë ende të zhdukur në Zenda Jan.

Përfaqësuesi i Fondit të Kombeve të Bashkuara për Popullsinë në Afganistan, Haime Nadal, deklaroi se nuk do të kishte "dimension gjinor" në numrin e viktimave nëse tërmeti do të kishte ndodhur natën. Ai sqaroi se një numër i madh i njerëzve largohen herët në mëngjes dhe shkojnë për të punuar në Iran, prandaj në shtëpi kanë mbetur kryesisht gra dhe fëmijë. ls/

Foto: Arkiv

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR